Kryetari i komisionit parlamentarë të Kosovës për arsim dhe kulturë, Nait Hasani dhe anëtarja Shukrije Bytyqi, shprehen se hapja e universitetit në gjuhën shqipe në Shkup është “ngjarje e madhe kombëtare” pasi, sipas tyre, njëkohësisht shërben edhe si kthim në identitetin e hershëm të qytetit të Shkupit që kishte në të kaluarën për shqiptarët.
Pas përkrahjes së idesë për themelimin e Universitetit në Gjuhën Shqipe në Shkup nga anëtarë të Komisionit parlamentar për arsim të Shqipërisë, nisma është përshëndetur edhe nga Komisioni për arsim dhe kulturë i Parlamentit të Kosovës. Kryetari i këtij komisioni, deputeti Nait Hasani dhe anëtarja Shukrije Bytyqi, ashtu si edhe homologët e tyre nga Tirana, Mimoza Hafizi dhe Bexhet Toçi, shprehen se hapja e universitetit në gjuhën shqipe në Shkup është “ngjarje e madhe kombëtare” pasi, sipas tyre, njëkohësisht shërben edhe si kthim në identitetin e hershëm të qytetit të Shkupit që kishte në të kaluarën për shqiptarët.
Në këtë vijë Hasani konsideron se orientimi i politikës për një universitet të ri në Shkup, do të mundësojë integrimin më të shpejtë të popullatës shqiptare të Shkupi dhe të Kumanovës me kryeqendrën. “Hapja e Universitetit në Tetovë ka qenë një ngjarje e cila nuk ka pasur rrugë tjetër në vitin 1994, ndërsa të gjithë e dinim në atë kohë se ideja ka qenë që në Shkup duhej të themelohej ky universitet. Por ky ka qenë një pozicion politik i Qeverisë së Maqedonisë atëherë, që shqiptarët të mos kenë qasje në Shkup. Tani që kthehet fokusi politik për të pasur universitetin shqip në kryeqendër, kjo do të thotë që në një të ardhme të afërt të kemi integrim më të shpejtë të shqiptarëve të Shkupit dhe të Kumanovës me kryeqendrën e tyre. Pavarësisht se nga kush propozohet dhe mundësohet hapja, për mua nuk duhet të jetë e rëndësishme shumë, por është kapitale që pikërisht kryeqendra, që dikur ka qenë e shqiptarëve, ta ketë godinën e vetë universitare”, potencon deputeti Nait Hasani.
Ai më tej thekson se në Kosovë janë themeluar 6 universitete publike, si në Mitrovicë, Prizren, Gjilan, Pejë, në Gjakovë, Gjilan dhe Ferizaj dhe disa prej tyre tani më veç kanë filluar ta marrin veten.
Ai rikujton se vetë Karta e Bolonjës mundëson shtrirjen horizontale dhe pluralizmin e funksionimit të më shumë universiteteve. Dhe kjo, sipas tij, do ta rrisë konkurrencën për të pasur më shumë cilësi në arsimin e lartë.
Më tutje, ai flet edhe për mundësinë që Universiteti shqip në Shkup të ndihmohet me kuadër profesional deficitar edhe nga Prishtina dhe Tirana. Anëtarja tjetër e Komisionit për arsim dhe kulturë, deputetja Shukrije Bytyçi, madje konsideron se nisma për themelimin e universitetit në gjuhën shqipe në Shkup është e vonuar, duke i marrë parasysh nevojat për shkollim të popullatës shqiptare në Maqedoni.
Mbi 20% e votave të numëruara, Kurti kalon 70 mijëshin ̵...
Endrick mban stërvitjen e parë me Lyon, i gatshëm për debuti...
Eurostat: Alarmante, 57.1% e shqiptarëve jetojnë në banesa t...
Putin nënshkruan dekretin për thirrjen e 260 mijë rekrutëve ...
Mbi 3 mijë persona humbën jetën duke tentuar të arrinin në S...
Trump dhe Netanyahu takohen në Florida për të diskutuar fazë...