Mediat në Serbi pretendojnë për të shtëna në Kurshumli, thonë se të dyshuarit ikën në Kosovë

09:37 | 7 Shkurt 2026
R J

Mediat në Serbi kanë raportuar për një incident të armatosur që pretendojnë të ketë ndodhur në drejtim të oficerëve të stacionit policor të Kurshumlisë, në zonën e fshatit Paradë, në Serbi.

“Nova” raporton se janë shkrepur mbi 100 plumba nga armët automatike ndaj oficerëve të Stacionit të Policisë në Kurshumli dhe Stacionit të Policisë në Lukovska Banjë, në zonën e fshatit Parada.

Sipas këtij mediumi, që thotë se ka mësuar jozyrtarisht, rasti pretendohet se ka ndodhur tri ditë më parë, kur thuhet se oficerët e policisë nga Stacioni Policor i Kurshumlisë dhe Stacioni Policor i Banjës së Lukovës (Lukovska Banja) hasën pengesa në formën e pemëve të rrëzuara, të cilat i penguan ata të lëviznin më tej, në zonën e fshatit Paradë, në vendin e quajtur Ravna Gora, në rrugën lokale që të çon nga Banja e Lukovës në fshatin Rastelicë,.

Ky medium thotë se menjëherë pas këtij rasti, “ata panë disa persona të panjohur që po largoheshin drejt zonës së Kosovës”.

“U qëlluan me breshëri të shkurtra dhe të gjata, nga armë automatike, dhe e gjitha zgjati rreth gjysmë ore, derisa ata u tërhoqën në Kosovë”, ka raportuar “Nova”, duke shtuar se nga ky incident askush nuk u lëndua.

Ndërkaq, media tjera, që njihen si të afërta me pushtetin në Serbi, kanë raportuar se personat që pretendohet të kenë shtënë me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë në Serbi, kanë qenë shqiptarë.

“Edhe një sulm ndaj policisë serbe ka ndodhur para dy ditësh në zonën tokësore të sigurisë kur shqiptarët qëlluan më shumë se 100 plumba, i është konfirmuar ‘Blic’-it”, pretendon ky medium, sikurse edhe të tjerë si “B92”, “Pravda” e “Novosti”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale