COVID-19, Serbia shtrëngon masat kufitare për katër shtete fqinje

11:18 | 26 Gusht 2020
M. A.

Në të gjitha vendkalimet kufitare Serbia ka rritur kontrollet shëndetësore dhe sanitare, për shkak të kthimit të turistëve nga pushimet verore nga vendet të cilat ditëve të fundit kanë shënuar rritje të pacientëve me COVID-19.

Qeveria e Serbisë ka vendosur masa të reja për udhëtarët që vijnë nga vendet si Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Rumania e Kroacia, të cilat konsiderohen si vende me situatë të pafavorshme pandemike, raporton RTS.

Qytetarët e këtyre vendeve që hyjnë në Serbi, duhet të vërtetojnë nëpërmjet testin PCR që kanë rezultuar negativ në COVID-19, dhe ky test duhet të jetë jo më i vjetër se 48 orë.

Policia në hyrjet kufitare u ka dhënë udhëzime dhe paralajmërime udhëtarëve që në rast të shfaqjes së simptomave duhet menjëherë të njoftojnë në Institutin e Shëndetit Publik.Në 24 orët e fundit në Serbi janë shfaqur 106 raste të reja me COVID-19 nga 8,646 persona të testuar, ndërsa janë shënuar 4 viktima.Serbia deri më sot ka shënuar në total 30,820 raste me COVID-19, nga ky numër i përgjithshëm janë shënuar 705 viktima.Deri më sot në Serbi janë testuar mbi 800 mijë qytetarë që kanë dyshuar se janë prekur nga pandemia e coronavirusit.

Shpërndaje në rrjete sociale