Kovaçevski: Gjuha jonë do bëhet gjuhë zyrtare e BE-së

12:21 | 19 Korrik 2022
Xhejlane Haliti

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se pas 17 vjetësh të marrjes së statusit kandidat, sot po hapet një perspektivë e re për qytetarët e vendit të tij dhe shteti po i bashkohet BE-së.

“Ky ka qenë qëllimi ynë strategjik për vite me radhë”, tha ai në konferencën për shtyp në krah të Ramës dhe Von der Leyen.

Kovaçevksi tha se arritja më e madhe për shtetin e tij, është se gjuha maqedonase do të jetë e barabartë mes gjuhëve të bllokut dhe kjo tha se u mundësua përmes propozimit francez.

“Ky propozim përkufizon gjuhën maqedonase, pa shtesa, shpjegime dhe fusnotë në fund të fletës, diçka që ka qenë e një rëndësie të madhe për ne. Dyert e hapura për gjuhën tonë maqedonase që të bëhet gjuhë zyrtare e BE-së, janë diçka që personalisht unë i shikoj si një nga arritjet më të mëdha”, tha ai.

Hapja e bisedimeve për Shkupin dhe Tiranën vjen pasi më 16 korrik, Kuvendi maqedonas miratoi një propozim francez që mundësoi heqjen e vetos së Bullgarisë për nisjen e bisedimeve me Shkupin.

Megjithatë, hapja e bisedimeve të martën në Bruksel është “simbolike”, pasi bisedimet reale apo ato për kapitujt e BE-së do të nisin vetëm pasi Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën e saj për përfshirjen në të të bullgarëve, si të barabartë me popujt e tjerë./R.E.L

Shpërndaje në rrjete sociale