Veseli e quan demokraci raundin e dytë të votimeve në Drenas

14:51 | 12 Dhjetor 2016
M. A.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli gjatë hapjes së fushatës zgjedhore për balotazhin që do të zhvillohet këtë të diele në komunën e Drenasit, për zgjedhjet e jashtëzakonshme të të parit të kësaj komune, ka theksuar se fushata e PDK-së do të kurorëzohet me fitoren e kandidatit Ramiz Lladrovci.

“Jam jashtëzakonisht i nderuar të jem sot natyrisht këtu me ju, unë po e shoh edhe nga pjesëmarrja juaj kaq masive të gjithë ne jemi duke menduar pse na u desh të votojmë për së dyti. Kjo është demokracia e bukura e saj edhe në Drenicë është me pas raund të dytë të votimeve, që me u gëzu kandidatët tanë politikë që mos të shkojnë menjëherë tejmase të hidhëruar. Unë besoj se ata do të jenë dinjitoz me datën 18 dhjetor siç kanë qenë edhe me 4 dhjetor në mënyrë që sa më shuam të mendojnë për qytetarët e Kosovës në mënyrë të veçantë për qytetarët e komunës së Drenasit por të mos jenë thyes, mos të jenë mospranues dhe jo-korrekt atëherë kur atyre nuk ju pëlqen”, ka thënë Veseli.

Po ashtu Veseli ka falënderuar të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit, për kulturën që kanë treguar veçanërisht me datën 4 dhjetor por edhe gjatë gjithë procesit elektoral.

“Një kulturë e jashtëzakonshme të qytetërimit siç është rajoni i Drenicës, komuna e Drenasi, ku ka pasur komunikim, debat dhe kritika. Por ka pasur akuza të cilat për keqardhje nga disa nga kolegët tanë janë dëgjuar duke shkuar edhe në skajshmëri nga verbëria politike, duke harruar që historia është shumë e shkurtër. Duke thënë që pas 17 vitesh Drenasi lirohet, por harronin se pikërisht në atë pushtet mbi 90% ishin ata që e akuzoheshin”, ka shtuar Veseli.

Sipas këtij të fundit “Nuk është e ndershme, nuk është korrekte që njeriu të sillet në atë formë. Sido që të jetë, falënderoj çdo votues dhe ndjehem krenar për votën e tyre për arsye se me votën e tyre po japin një kuptimësi veçanërisht Drenasit, duke e transferuar në një qendër urbane, moderne, industriale ku nuk do të ketë biseda vetëm për infrastrukturën të cilat do të relalizohen nga kryetari i ardhshëm, por edhe nga të gjitha strukturat e PDK-së, që Drenasi dhe Kosova të shndërrohet në një vend ku ka punë dhe perspektivë për të gjithë”.

Veseli ka theksuar se “Ky është dimezioni që ka të bëjë pikërisht me 18 dhjetor në Drenas. T’i japim perspektivë Drenasit dhe më pas gjithë Kosovës, në zhvillimin ekonomik që e kanë nevojë dhe e meritojnë veçanërisht qytetarët tanë që kanë sakrifikuar dhe kanë dhënë aq shumë dhe japin për vendin e vet”.

Shpërndaje në rrjete sociale