Veliu komenton rezultatin e LDK-së: Humbjet e rënda nuk mund të kalohen në heshtje

12:20 | 11 Janar 2026
E.H

Agim Veliu ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit për LDK-në, duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë nga qytetarët që kërkon reflektim dhe përgjegjësi politike.

Ai theksoi se humbjet e rënda nuk duhet të relativizohen dhe se dorëheqja është akt force dhe pjekurie politike, duke kërkuar analizë të menjëhershme, hapje të brendshme, demokraci funksionale dhe një proces të ri zgjedhor në të gjitha nivelet brenda partisë.

Postimi i plotë:

Të dashur anëtarë, simpatizantë dhe qytetarë,
Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit për Lidhjen Demokratike të Kosovës është një sinjal i qartë që nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohet.

Ky është një mesazh nga qytetarët dhe mesazhe të tilla kërkojnë reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike.

Si kontribues i LDK-së, ndjej obligim moral dhe politik të them se humbjet e rënda nuk mund të relativizohen, as të kalohen me heshtje.

Në demokraci, përgjegjësia është parakusht për besim, ndërsa dorëheqja nuk është dobësi, por akt force dhe pjekurie politike.

Prandaj: dera është e hapur!

LDK, sot nuk ka nevojë për justifikime (në studio televizive), por për:
• analizë të menjëhershme të shkaqeve të humbjes,
• hapje të brendshme dhe demokraci funksionale,
• dhe për një proces të ri zgjedhor në të gjitha nivelet që i jep shpresë anëtarësisë dhe elektoratit.

Vetëm duke hapur rrugë për ndryshim mund ta rikthejmë besimin e humbur dhe të përgatitemi për sfidat e ardhshme.

Koha kërkon vendime të guximshme, jo mbrojtje asaj që nuk mbrohet, jo mbajtje të status quo-së.
LDK-së i duhen fitues në ekipin e saj, e jo kandidat të përhershëm!

Zoti e bekoftë LDK-në.

Shpërndaje në rrjete sociale