Tahiri takon Kiliç, bisedojnë për thellim të marrëdhënieve Kosovë-Turqi

20:00 | 3 Shtator 2015
M. A.

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, sot ka pritur në takim njoftues Ambasadoren e re të Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç.

Gjatë këtij takimi, Tahiri i uroi mirëseardhje në Kosovë me dëshirën për një bashkëpunim të ngushtë për përforcimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Ajo njoftoi ambasadoren Kiliç me zhvillimet e fundit në vend, foli për progresin e arritur në shtetin e Kosovës dhe për avancimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.

Tahiri vlerësoi lart bashkëpunimin dhe përkrahjen nga shteti i Turqisë dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.

Ajo e informoi ambasadoren për rrjedhat e dialogut me veçanti për marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel.

Tahiri theksoi se dialogu i Brukselit është një kontribut për paqe dhe fqinjësi të mirë në rajon.

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, siguroi që shteti i Turqisë do të vazhdoi përkrahjen e fuqishme për përparimin e shtetit të Kosovës. Ajo pot encoi se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë dhe do të thellohen marrëdhëniet në mes të dy vendeve në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Ambasadorja Kiliç premtoi angazhimin e saj maksimal që të dy vendet të bashkëpunojnë në projekte konkrete që janë në të mirën e qytetarëve dhe shteteve tona.

Ambasadorja Kiliç tha se Turqia mbështet dialogun e Brukselit, thuhet në komunikatën pas takimit.

Shpërndaje në rrjete sociale