Tahiri: Serbia po shkon drejt njohjes së Kosovës

14:38 | 9 Janar 2017
M. A.

Minstrja për Dialog, Edita Tahiri, shprehet e bindur se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe këtë sipas saj shteti serb do ta bëjë këtë, jo sepse e dëshiron, por sepse do të detyrohet nëse e ka synim integrimin në BE.

Madje siç thekson ajo, sa më shumë që Serbia flet kundër Kosovës, aq më afër është njohjes së Kosovës. Në një intervistë për Lajmi.net, Tahiri flet për të arriturat që janë bërë në procesin e dialogut. Ndërsa insiston se muri në veri të Mitrovicës do të hiqet.

“Dialogu i Brukselit ka kontribuar për avancimin e rrugës së Kosovës për integrimin evropian. Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) me BE-në këtë vit, dhe realizoi dialogun e parë zyrtar me BE-në. Kjo ishte një arritje historike për Kosovën, si proces që filloi më 2011, vetëm pasi Kosova u angazhua në dialogun e Brukselit. Kosova sivjet vendosi lidhje zyrtare me NATO-n, që është dëshmi se shteti ynë vlerësohet si partner serioz nga bashkësia ndërkombëtare. Po ashtu, Kosova mori kodin telefonik shtetëror ndërkombëtar nga ITU më 15 dhjetor të këtij viti, për të cilën aplikoi Austria, duke forcuar kështu shtetësinë e vet dhe pavarësinë ndërkombëtare në fushën e telekomit. Rëndësia ndërkombëtare lidhet edhe me faktin se për herë të parë një organizatë e OKB-së është në bashkëpunim zyrtar me shtetin tonë që shënon një fillim të ri në raportet zyrtare me OKB-në”, ka thënë Tahiri në intervistën dhënë Lajmi.net.

Shpërndaje në rrjete sociale