Sulmohet një person me aftësi të kufizuara në Ferizaj i njohur si “Cufa”

13:26 | 12 Maj 2025
E.K

Një qytetar i Ferizajt, i njohur si “Cufa” dhe me aftësi të kufizuara, është sulmuar fizikisht dy ditë më parë, njoftoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Sipas informacioneve të siguruara nga policia, një person është identifikuar dhe është ftuar për t’u intervistuar në stacionin policor.

“Sot rreth orës 11:00, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë përmes rrjeteve sociale lidhur me një incident, ku dyshohet se është sulmuar fizikisht një person me aftësi të kufizuara, i njohur si “Cufa”. Menjëherë pas pranimit të informatës, hetuesit e stacionit policor në Ferizaj janë angazhuar dhe kanë arritur të identifikojnë një person të dyshuar, i cili është ftuar në stacion për intervistim. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur dy ditë më parë në sheshin e qytetit. Me autorizim të prokurorit të shtetit, policia ka nisur procedurat për shqyrtimin e kamerave të sigurisë me qëllim të sqarimit të rrethanave të rastit”, tha Veseli./Arbresh.info