Mbrëmjen e së dielës, ditë vikendi e feste, në disa billborda nëpër kryeqytet janë vendosur posterë me pesë aktivistët e Vetëvendosjes të cilët janë dënuar në shkallën e parë si të dyshuar për sulm me granatë ndaj Kuvendit të Kosovës.
Billbordat kërkojnë drejtësi për pesë aktivistët, të cilët më 22 shkurt do të dalin para panelit të Gjykatës së Apelit.
Por billbordi është ngjitur keq. Vetëvendosje pranon se i ka ngjitur vetë ata, pa marrë leje nga Komuna. Madje nuk ka paguar as kompaninë që menaxhon me hapësirat reklamuese nëpër billborda në kryeqytet.
Tinka Kurti, nga Zyra për Media e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për emisionin 038 se ata i kanë ngjitur këta posterë.
“Ne kemi planifikuar që të marrim leje për billbordin, por Komuna e Prishtinës në përgjigjen ndaj kërkesës sonë na ka njoftuar se hapësirat e tilla reklamuese nuk i ka në shfrytëzim për shkak të skadimit të kontratës të kompanisë së cilës i është besuar më parë kjo. Për shkak të datës 22 shkurt, kur do të mbahet seanca e Gjykatës së Apelit për aktivistët tanë, ne nuk kemi mundur që këtë aktivitet ta shtyjmë në kohë”, ka thënë Kurti.
“Lokacioni ku është vendosur billbordi nëpërmjet të cilit kërkojmë liri për aktivistët, është afër Universitetit të Prishtinës, Ministrisë së Arsimit dhe Akademisë së Shkencave. Ata janë aktivistë, studentë dhe qytetarë të pafajshëm të kësaj republike. Seanca më 22 shkurt duhet të jetë dita e rregullimit të padrejtësisë”, ka thënë Kurti.
‘038’ ka kontaktuar me Kushtrim Krasniqin, menaxher i operacioneve në AMM, e cila menaxhon me hapësirat reklamuese nëpër billborda në kryeqytet. Ai ka thënë se nuk kanë kurrfarë njohurie për vendosjen e këtyre posterëve.
“Këtë e kanë bërë pa kurrfarë kërkese nga ana e tyre. Objektet e billbordëve janë pronë e AMM-së dhe si të tillë ka qenë dashtë që paraprakisht të bëhet kërkesë për shfrytëzimin e hapësirave, ani pse jemi në kontest pronësor me Komunën e Prishtinës që ka shkëputur njëanshëm kontratën me ne”, ka thënë Krasniqi.

“Mirësi për të gjithë njerëzimin”, presidenti turk uron muaj...
Warren Buffett bën lëvizje surprizuese, blen 5 milionë dolla...
Aksident me fatalitet në Mitrovicë, vdes një 31-vjeçar
Bodo/Glimt ‘befason’ Interin në sfidën e parë të...
KEK-u dhe Komuna e Obiliqit nënshkruajnë memorandum bashkëpu...
Britania po heton nëse Epsteini ka përdorur aeroportet e Lon...