Sherifi: Hahn është dashur t’i lexojë mesazhet e Opozitës

14:34 | 7 Nëntor 2015
M. A.

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, me anë të një shkrimi ka shprehur habinë e tij rreth deklaratave të komisionerit të Bashkimit Europain, Johannes Hahn, kur ky i fundit tha se nuk i ka lexuar parullat e opozitës të ekspozuara dje para tij në Parlamentin e Kosovës.

“Shpreh habinë dhe mospajtimin tim që komisioneri Hahn si një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian të mos merr mundin fare, madje as t’i lexojë ato dy fjali, të cilat në esencë shprehin qëndrimin e opozitës për marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë”, ka shkruar Sherifi.

Ai shkruan po ashtu se Hahn ka mundur të paktën të ndante 20 sekonda nga fjalimi 20 minutësh për t’i lexuar dy fjalitë me mesazhe të opozitës.

“Të mos marrësh mundin as t’i lexosh dy fjali, do të thotë të mos jesh i interesuar fare për argumentet e opozitës, e cila gjithashtu përfaqëson qëndrimin e një pjese dërmuese të qytetarëve të këtij vendi”.

Deputetët opozitarë dje gjatë fjalimit të komisionerit Hahn shpalosën dy banerë me parulla për politikanin europian.

“A është segregacioni (ndarja) etnik vlerë e BE-së?!”, shkruante në njërin dhe “Marrëveshjet e padrejta nuk do të kalojnë!”, në banerin tjetër.

Shpërndaje në rrjete sociale