Shënohet 21 marsi Dita Ndërkombëtare e Pyjeve

18:41 | 21 Mars 2023

Me moton “Pyje të shëndetshme për njerëz të shëndetshëm” sot në Parkun e Gërmisë Prishtinë u shënua Dita Ndërkombëtare e Pyjeve.

Ngjarja u organizua nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO dhe e përkrahur nga Zyra e BE-së dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë.

“Në këtë ceremoni festive morrën pjesë përfaqësues të Qeverisë, deputetë të Kuvendit të Kosovës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Pyjeve të Kosovës, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e Suedisë në Kosovë, Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së, ekipi i Programit për Pylltarizbatuar prej FAO-s, përfaqësues të Komunës së Prishtinës, si dhe partnerë dhe palë të tjera të interesit”, thuhet në komunikatën për media nga MBPZhR.

Përfaqësuesit e këtyre institucioneve, fillimisht u takuan tek krojet e Parkut të Gërmisë, ku edhe mbajtën nga një fjalë rasti për rëndësinë e mbrojtjes së pyjeve dhe rolin e tyre në shëndetin e njerëzve dhe mjedisit të Kosovës.

Fitore Pacolli, deputete e Kuvendit të Kosovës në fjalën e saj tregoi për punën e kuvendit në përmirësimin e kornizës ligjore sa i përket sektorit të pyjeve, ku ndër të tjera shtoi se “një prej të gjeturave, në Ligjin e Pyjeve ka qenë ‘përzierje kompetencash’ në mes të nivelit lokal, ministrive dhe autoriteteve që merren me këtë sektor. Ndërsa, tani me ligjin e ri kemi një autoritet përgjegjës dhe kompetent për pyje”, tha me këtë rast Pacolli.

Në anën tjetër, Zv. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Lazar Raduloviq, pas një prezantimi të historisë së Ditës së Pyjeve vlerësoi rëndësinë e menaxhimit të pyjeve.

“Pyjet janë një pjesë integrale e zhvillimit të qëndrueshëm global. Sipas Bankës Botërore, ekzistenca e më shumë se 1.6 miliardë banorëve në planet varet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga pyjet”, shtoi zv. Ministri Raduloviq.

Ndërsa, Jonas Westerlund, Ambasadori i Suedisë në Kosovë foli për rëndësinë e pyjeve të Kosovës për ekonominë e vendit, si dhe për mbështetjen e Suedisë dhe Zyrës së BE-së në Kosovë për sektorin e pyjeve përmes programit të implementuar nga FAO “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumë-qëllimor të pyjeve për përmirësimin e jetës rurale dhe adresimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë”.

Gjatë këtij manifestimi, pjesëmarrësit dëgjuan prezantimet motivuese me temën “Roli kritik i pyjeve në promovimin e shëndetit të njeriut dhe mirëqenies sociale” nga Daut Demaku, Behare Bajraktari, si dhe fotografi i mirënjohur Arian Mavriqi të cilët pas fjalimeve të tyre në shënimin e kësaj ngjarje, vazhduan ecjen me biçikleta shtigjeve pyjore të Gërmisë.

Theksojmë se Dita Ndërkombëtare e Pyjeve është shpallur prej OKB-s dhe çdo vit me datë 21 mars shënohet nga FAO në nivel global, si mundësi për të promovuar aktivitete miqësore, si dhe praktika të qëndrueshme të menaxhimit të pyjeve./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale