Prej se ka nisur të zbatohet Marrëveshja për Lëvizje të Lirë mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht prej 12 gushtit 2015, kërkesat e drejtuesve të automjeteve në vend për t’u pajisur me targa KS, të cilat i ka lëshuar fillimisht administrata e UNMIK-ut, janë shtuar.
Kjo për faktin se me këto targa për të udhëtuar në Serbi duhet paguar vetëm polica e sigurimit TPL Plus që kushton 40 euro në vit dhe që e mbulon edhe Maqedoninë, përderisa lëvizja me targa RKS në territorin e Serbisë është shumë e shtrenjtë. Me këto të fundit, përpos policës së sigurimit 40 euro, kosovarët detyrohen të paguajnë 16 euro vetëm me rastin e hyrjes në territorin e Serbisë për targat “Proba” dhe taksat komunale, plus 5 euro shtesë për çdo ditë qëndrimi në Serbi.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës bëjnë të ditur për gazetën “Zëri” se prej 12 gushtit deri më 20 gusht 2015, rreth 300 qytetarë kosovarë janë pajisur me targa KS. “Pas 12 gushtit dukshëm janë rritur kërkesat e qytetarëve për t’u pajisur me targa KS. Pas asaj date e deri më 20 gusht gjithsej janë pajisur 298 qytetarë janë me targa KS. Ndërkohë, deri më tani me këto lloj targash janë pajisur 7377 automjete”, ka thënë për gazetën “Zëri”, Rroksana Qarri, zëdhënëse në Ministrinë e Brendshme.
Ajo ka pohuar se nuk dihet saktë nacionaliteti i kërkuesve për këto lloj të targave, porse procedurat ka thënë se janë të njëjta për t’u pajisur sikurse me targa RKS. “Ka kërkesa nga të dyja palët, qytetarët serbë e kosovarë, mirëpo sistemi nuk na siguron të dhëna sipas nacionalitetit. Procedurat janë të njëjta me ato RKS. Te rasti i ndërrimit të targave duhet paguar 20 euro dhe 10 euro për librezë”, ka treguar Qarri.
Opozita: Po hiqet dorë nga shtetësia
Marrëveshja e Brukselit për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve e njohur si Memorandum i Mirëkuptimit (MM) për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve mes Republikës së Kosovës dhe të Serbisë është nënshkruar më 23 qershor në Bruksel, ku si palë lehtësuese dhe garantuese është nënshkruar nga Byroja Evropiane e Sigurimeve dhe Bashkimi Evropian. Automjetet me targa të Serbisë paguajnë zero euro për të hyrë në Kosovë, pasi që mbulohet nga Kartoni i Gjelbër që paguhet rreth 20 euro në vit, derisa automjetet me targa të Kosovës detyrohen të paguajnë TPL+ në shumën prej 40 eurosh.
Kosova po i njeh Serbisë policën e zakonshme të sigurimit, kurse Serbia Kosovës jo. E për të hyrë në Serbi, kosovarët duhet hequr tabelat RKS dhe duhet vendosur ato të letrës “Proba”.
Opozita po këmbëngulë se marrëveshja nuk është aspak reciproke, por favorizuese për Serbinë. Kthimi i targave të kohës së UNMIK-ut KS, sipas spektrit opozitar në vend është mohim i shtetësisë së Kosovës. “Marrëveshja e arritur në Bruksel në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë e cila u quajt për Lëvizje të Lirë, është marrëveshje e dëmshme dhe e turpshme për qytetarët e Kosovës. Ajo e thellon edhe më tej mungesën e reciprocitetit në mes të Kosovës dhe Serbisë, por edhe i dëmton drejtpërdrejt qytetarët edhe financiarisht. Qeveria e Kosovës pranoi diçka që nuk do ta pranonte asnjë shtet normal. Qytetarëve që vijnë nga Serbia në Kosovë u njihen targat zyrtare të shtetit serb dhe nuk u kërkohet asnjë shumë për të paguar. E njëjta nuk ndodh edhe me qytetarët e Kosovës. Kjo nuk flet për asgjë tjetër veç për vazhdim të mungesës së reciprocitetit”, ka thënë nënkryetarit i parë i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Driton Caushi.
Edhe deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, shprehet se kompromiset e tilla janë të papranueshme për qytetarët e Kosovës dhe se më së shumti po e pësojnë ata. “Marrëveshja e Brukselit është një tradhti ndaj qytetarëve të Kosovës dhe kompromiset që bëhen në raport me komunitetin serb jo që janë të papranueshme, por janë antikushtetuese. Fajet për këtë i ka kjo garniturë e shtetit që është në pushtet dhe kjo është tradhti e madhe që u është bërë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Berisha.
Ai mendon se që në kohën kur janë lejuar që të përdoren dy lloje të tabelave është treguar joserioziteti i funksionimit të shtetit në të gjitha pjesët e Kosovës. Berisha ka thënë se kompromisi karshi një komuniteti, në këtë rast ndaj serbëve është i papranueshëm. “Kjo nuk ndodh askund që në një vend me pas këso laramanie. Këto lloj kompromisesh po vazhdojnë ta mbajnë peng shtetin dhe po e bëjnë jofunksional”, shtoi Berisha. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkon që të mos lejohet hyrja e qytetarëve serbë nga Serbia për në Kosovë pa asnjë obligim. “Nuk duhet lejuar që qytetarët serbë të vijnë në Kosovë pa asnjë obligim, e në të kundërtën që qytetarët e Kosovës të dënohen në kuptimin e heqjes së targave sepse ato janë edhe simbol i shtetit të Kosovës. Qeveria e Kosovës është duke e dëmtuar interesin e qytetarëve sepse me marrëveshjet e arritur një herë Serbia e ka prolonguar atë, në rastin e dytë po i detyron qytetarët tanë që t’i ndërrojnë tabelat duke paguar edhe taksë shtesë në kufi”, ka thënë nënkryetari i AKK-së, Ahmet Isufi, duke shtuar se kjo formë tregon për joseriozitetin e delegacionit të Kosovës, i cili, sipas tij, duhet ta anulojë marrëveshjen. “Siç po shihet marrëveshja është në dëm të qytetarëve të Kosovës. Në të kundërtën, ne konsiderojmë që marrëveshja duhet të respektohet në mënyrë reciproke dhe pa asnjë lëshim”, është shprehur Isufi.
Pacolli: Do t’i përgjigjemi Serbisë në mënyrë reciproke
Rrahim Pacolli, kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, nuk dëshiron të komentojë lidhur me kthimin e targave të vjetra KS. Ai thotë se ndërrimi i tabelave nga RKS në “Proba” është çështje ditësh. “Nuk është normale që Serbia vendos që kosovarët të kalojnë me “Proba” nëpër territorin e Serbisë, por kjo është çështje ditësh, ose në një mënyrë tjetër edhe ne do t’i përgjigjemi në mënyrë të njëjtë Serbisë. Sa i përket asaj se qytetarët po i kthejnë targat KS nuk është në kompetencën time të flas”, tha Pacolli. Përmes një komunikate për media, Qeveria e Kosovës ka konsideruar se Marrëveshja në fjalë shënon një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Sipas Qeverisë, rëndësia e kësaj Marrëveshjeje është e shumëfishtë për qytetarët dhe shtetin. “Përfitimet janë se qytetarët lirohen nga pagesa shtesë për sigurimin e automjetit (policën e sigurimeve) gjatë kalimit në Serbi. Qytetarët tani kalojnë në Serbi me të njëjtën policë të sigurimeve të cilët e përdorin gjatë kalimit në Maqedoni. Qytetarët duhet t’u drejtohen kompanive të sigurimeve prej nga e kanë blerë policën e sigurimeve për Maqedoni, në mënyrë që të pajisen me formularin e ri të policës së sigurimeve, në të cilën shënohet që vlen edhe për Serbi. Ky shërbim bëhet pa pagesë nga ana e kompanive të sigurimeve. Lirimi nga pagesa shtesë për sigurimin e automjeteve gjatë kalimit në Serbi është i plotë”, ka konsideruar Qeveria. Ndryshe në fund të vitit 2011, kur ishin rikthyer targat KS me Udhëzim Administrativ pati thënë se targat KS i lëshohen komunitetit serb, por edhe për shqiptarët, vetëm nëse do të mund të paraqesin dëshmi të bindshme se i nevojiten për të udhëtuar më shpesh në Serbi. /Zëri
Ramadan Morina nuk e pranon fajësinë për masakrën në Burim t...
Ekzaminimi i telefonave në procedurë penale, IKD: Kompetenca...
Hamza në Ditën e Veteranit: Kosova është e lirë sepse nuk u ...
CIA kreu një sulm me dron ndaj një objekti portual n`bregdet...
ZRRE-ja do ta ulë çmimin për ngrohje
Haradinaj në Ditën e Veteranit: Sulmi mbi familjen Jashari n...