18:31 |
16 Tetor 2015
M. A.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë njofton se revitalizimi i urës së Mitrovicës dhe hapësirës përreth saj do të nisë nesër pasdite, më 17 tetor, ashtu siç është paralajmëruar.
- “Kontraktuesi i BE-së do të mbyllë të dy anët e urës me barriera dhe vendin e ndërtimit me gardh. Punët ndërtimore në këtë urë do të kryhen duke iu qasur vendit të punimeve përmes rrugës nga ana jugore”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së.
Bëhet e ditur se gjatë kohës së revitalizimit, njëra anë e urës do të ketë qasje për kalimtarët.
-
Samuel Zhbogar, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë ka lavdëruar durimin e të dyja palëve, duke veçuar kryetarët Agim Bahtiri e Goran Rakiq për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre të treguar gjatë ditëve të kaluara.
-
“Diskutimet për Memorandumin e Mirëkuptimit për Planet Zhvillimore Komunale, Hartën Komunale të Zonave dhe Planin e detajuar Rregullativ po vazhdojnë”, thuhet në njoftim.
-
Zyra e BE-së në Kosovë do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me këto dy komuna gjatë gjithë pr ocesit për të monitoruar dhe rishikuar zhvillimet. Ajo po ashtu do ta informojë publikun e Kosovës për çështjet përkatëse.
-
Revitalizimi i urës së Mitrovicës është paraparë me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes të arritur më 25 gusht 2015 në mes të Prishtinës dhe Beogradit.