Reagon gazeta “Zëri”, ky është sqarimi i saj (Dokument)

15:28 | 14 Dhjetor 2016
M. A.

Pas reagimit të AGK-së për ‘largimin nga puna të gazetares Saranda Halimi nga gazeta Zëri, për shkak se ajo është shtatzënë’ , kjo e fundit përmes një komunikate ka shprehur shqetësimin e saj.

Kjo është komunikata:

Në emër të gazetës “Zëri” shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me reagimin e njëanshëm të kreut të AGK-së, Shkëlqim Hysenaj, i cili pa kontaktuar gazetën” Zëri” të mërkurën  ka lëshuar një komunikatë për medie me shumë të pavërteta.

AGK nëpërmjet një komunikate njofton se gazeta “Zëri” e ka larguar nga puna gazetaren , Senada Halimi,  me arsyetimin se kjo e fundit është shtatzënë.

Por e vërteta është si në vijim:

Gazetares Senada Halimi nuk i është shkëputur kontrata, pasi që kontrata ekzistuese i është respektuar në tërësi, por nuk i është vazhduar kontrata e re për vitin 2017. Kjo për faktin se bashkë me gazetaren Halimi, kontrata nuk i është vazhduar edhe gjashtë punëtorëve të tjerë.

Vendimi për këta punëtorë është ndërmarrë bazuar në performacën e tyre.  Në gazetën “Zeri” ka punëtore të tjera shtatzëna, të cilave u është vazhduar kontrata. Pra nuk është e vërtetë që vendimi është marrë për këtë arsye.

Kjo është vetëm një  tendence e kreut te AGK-se,  Shkëlqim Hysenaj, i cili  ka qenë i punësuar në “Zëri” për tetë muaj. Atij gjatë kësaj periudhe i është ndryshuar pozita, por jo edhe paga, duke iu respektuar kështu kontrata e punës.

Ai me vetëkërkesë ka dhënë dorëheqje nga pozita dhe me pas ka deponuar një ankesë në Inspektorat të Punës për gazetën “Zëri”.  Pas shqyrtimit të gjitha fakteve,  Inspektorati merr vendimin me nr. 06-28-1/16, ku ka vendosur se ankesa e Shkëlqim Hysenajt është e pabazuar.

(Të bashkangjitur e keni vendimin e inspektoratit te punës).

Ne shprehim shqetësimin tonë në lidhje  me fushatën e Hysenajt kundër “Zërit”.  Hysenaj edhe pse i votuar për të përfaqësuar të gjithë  gazetarët e Kosovës, pa dallim, ai nuk ka reaguar në shume raste të kërcënimeve te gazetareve, siç është rasti i fundit i redaktores së fotografisë, Laura Hasani, e cila është kërcënuar të dielën që lamë pas nga disa serbë lokal gjatë  punës së saj në Mitrovicën e Veriut.

Për shkak të kësaj qasjeje selektive të Hysenajt ndaj ” Zërit”, kjo e fundit ndihet e papërfaqësuar dhe ka vendosur që mos të konkurrojmë sivjet në çmimet vjetore që ndahen nga AGK.

Me respekt,

Redaksia e gazetës ‘Zërit”.

Shpërndaje në rrjete sociale