Prokuroria e Mitrovicës ka paralajmëruar se sot do të dorëzojë në Gjykatë kërkesën për paraburgim për dy policët e arrestuar dje si të dyshuar për keqpërdorim të provave në rastin Ivanoviq.
Prokurori Njazi Rexha i ka thënë KALLXO.com se kërkesa do dorëzohet sot gjatë ditës, ndërsa nuk ka dhënë detaje të tjera për rrjedhën e hetimit të deritanishëm.
Dy policët e Kosovës, D.M. (1970) dhe Zh.M (1970) u arrestuan gjatë ditës së djeshme nën dyshimin se nuk ishin kujdesur për ruajtjen me kujdes të vendit të ngjarjes pak minuta pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Prokurori Njazi Rexha, i cili po heton rastin, ka konfirmuar se arrestimi i dy policëve ndërlidhet me mënyrën se si është ruajtur vendi i ngjarjes pas incidentit.
“Ata kanë qenë në detyrë ta ruajnë vendin e ngjarjes dhe nuk e kanë kryer detyrën e tyre siç duhet”, ka thënë Rexha për KALLXO.com.
Ai ka sqaruar se janë duke hetuar pasojat e veprimeve të policëve.
Lajmin për arrestimet e dy zyrtarëve policorë të Stacionit në Mitrovicën Veriore e bëri të ditur Inspektorati Policor.
Sipas komunikatës së Inspektoratit, këta zyrtarë u arrestuan nën dyshimin për manipulim me prova.
Inspektorati njoftoi se përveç arrestimeve, ka bastisur dy lokacione në Mitrovicën Veriore me urdhër të prokurorit dhe gjykatës.
“Sot (10.02.2018) në orët e pasdites hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe janë bastisur dy lokacione në Mitrovicën e Veriut”, thuhej në komunikatën e mbrëmshme.
“Gjatë bastisjeve është konfiskuar një revole e llojit TT si dhe dy karikatorë me nga 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”.
Të arrestuarve u është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh.
Politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviq u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar.
Ai u varros një ditë më pas në Beograd.
Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE-së, ata serbë dhe kosovarë.
Ai shihej një politikan i moderuar në Kosovë që përkrahte bashkëjetesën midis pakicës serbe dhe shumicës shqiptare.
Megjithatë, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Ai e deklaroi veten të pafajshëm.
Serbia ka kërkuar përfshirje në hetimin për vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa dy shtetet në mënyrë të tërthortë janë duke shkëmbyer informata për këtë vrasje.
Gjykimi i katërshes së UÇK-së drejt fundit: Cilat janë proce...
Bayerni është i bindur se do ta blindoj me kontratë të re Up...
Rama takon nesër në Bruksel presidentin Costa, në fokus nego...
Gjendet pa shenja jete një person në Gjilan
Policia jep detaje për vdekjen e 43-vjeçarit në vendin e pun...
Arrestohet një person në Prishtinë pasi kanosi zyrtarin poli...