Ardhja e kryeministres së Serbisë Ana Brnabiq është jashtëzakonisht e rëndësishme për serbët e Kosovës thotë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
“Vizita e kryeministres së Serbisë dërgon një mesazh të qartë se mbi të gjitha jemi të përkushtuar për paqen, stabilitetin, dialogun, se populli ynë nuk është vetëm dhe se gjithmonë do të ketë shtetin e vet, pa të cilin nuk ka serb në Kosovë. Investimet shtetërore dhe kujdesi i vazhdueshëm për njerëzit tanë përmes Zyrës për Kosovë është me rëndësi jetike dhe në këtë kuptim kjo vizitë dhe investimet e paralajmëruara na bëjnë të gjithëve të lumtur”, thotë Rakiq, transmeton arbresh.info.
Në një intervistë për “Novosti”, kryetari i Listës Serbe thekson se “dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rrugë për zgjidhjen e çështjeve të hapura në këto fusha”.
“Lista Serbe, populli ynë dhe lidershipi ynë shtetëror me presidentin Vuçiq në krye, do të përpiqet të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen në këto zona. Ne ia kemi përcjellë presidentit Aleksandër Vuçiq qartë se populli ynë ka besim vetëm tek ai dhe tek ekipi ynë negociator, se ne besojmë se marrëveshja për dokumentet personale është një hap në drejtimin e duhur dhe se duhet gjetur një zgjidhje për çështjen e targave në të njëjtin parim, pra me kompromis”, thotë Rakiq.
Në pyetjen e “Novosti” se cila do të jetë përgjigja e Listës Serbe nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti fillon të zbatojë vendimet e njëanshme për targa, Rakiq përgjigjet se “duam kompromis, jo lëvizje të njëanshme dhe kërcënime për konfiskim të automjeteve”.
“Nuk dua të spekuloj, por ju kujtoj konkluzionet e miratuara nga komunat tona në seancën e përbashkët në Zveçan, njerëzit tanë nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga dokumentet dhe tabelat e tyre dhe nuk do ta bëjnë këtë as nën kërcënim nga Prishtina”.
Cila është vija e kuqe që do ta detyronte Listën Srpska të largohej nga institucionet?
Vazhdimi i represionit, aplikimi i masave të njëanshme për targat dhe rrezikimi i qetësisë dhe sigurisë së popullit tonë janë vija që asnjë përfaqësues i Listës Serbe nuk do t’i kalojë. Nëse Prishtina mendon se do ta pushtojnë veriun dhe do ta dëbojnë popullin tonë, unë i siguroj se kjo nuk do të ndodhë dhe se ne do të jemi me popullin tonë, më saktësisht përballë tyre në mbrojtje të së drejtës për jetë, paqe dhe liri./arbresh.info/
“Shembull forcës, guximit dhe shpresës”, Haxhiu ...
Aksident në autostradën “Arbën Xhaferi”, lëndohen pesë perso...
Tre të mitur gjejnë 100 euro në sheshin e Kamenicës, i dorëz...
KQZ: Përfundon numërimi në 9 QKN, vazhdon në 29 komuna të tj...
Policia: 18 vrasje në vitin 2025, afro 113 milionë euro aset...
Punonjësit e Policisë në Shqipëri marrin shpërblim në fund t...