Qytetarët e pakënaqur me dorëheqen e Grabovcit

19:28 | 16 Gusht 2016
M. A.

Për të katërtën herë me radhë qytetarët kanë protestuar kundër Qeverisë pas përgjimeve të publikuara në media ku protagonistë kryesorë janë Adem Grabovci dhe zyrtarë të lartë të PDK-së.

Protesta filloi në sheshin “Zahir Pajaziti’ për t’u ndalur te Teatri Kombëtar me ç’rast u bë thirrje që edhe herëve të ardhshme të ketë protesta të tilla.

#Protestoj janë  një grup qytetarësh të cilët të pakënaqur me qeverisjen e tanishme po vazhdojnë me protesta  me qëllim të rrëzimit të kësaj qeverie.

Protestuesit gjatë marshimit nëpër sheshet e Prishtinës, sapo kuptuan se Adem Grabovci ka dhënë dorëheqje nga posti i shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së kanë filluar të duartrokasin dhe brohorasin “Adem Pronto Grabovci ka dhënë dorëheqje”.

Njëri nga organizatorët Hajrulla Çeku nga “Ec ma Ndryshe” tha se  protesta do të vazhdohet derisa të  realizohen të gjitha kërkesat e qytetarëve.

Ai më tej tha se këto përgjime po dëshmojnë që ky vend është vend i krimit dhe  i korrupsionit.

 

“Këtyre iu ka ardhur fundi dhe neve na takon me ia dhanë shtytjen përfundimtare. Po e mbajmë protestën e katërt dhe do të vazhdojmë kështu deri në fund, derisa të realizohen të gjitha kërkesat. Jo vetëm me protesta në rrugë, por edhe me aksione edhe me veprime te tjera. ‘Protestoj’ do të jetë këtu  në rrugë në sheshet e Prishtinës dhe qyteteve të tjera të Kosovës”, tha Çeku.

Ai tha se nuk mjafton vetëm dorëheqja e Grabovdit sepse  nuk është vetëm një individ, por është një bandë e tërë  apo një grup kriminelësh që po e shkatërrojnë vendin.

Çeku tha se prapa kësaj proteste qëndrojnë qytetarët e pakënaqur, ndërsa përpara qëndron ideali për një Kosovë të lirë.

 

Çeku tha se ‘Protestoj’ është bashkim i të gjitha grupeve të pakënaqura të kësaj shoqërie dhe i gjithë atyre që e duan një vend më të mirë dhe nuk pajtohen me qeverisjen e ‘pronto mafisë’ në Kosovë.

Organizatorët kanë thënë se  rezistenca qytetare është forma e fundit që  ka mbetur në dispozicion, sepse mjetet tjera u janë marrë.

Shpërndaje në rrjete sociale