Qeveria e Serbisë njoftoi të hënën se e ka miratuar një projektligj për siç e quajti ajo organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.
Miratimi i këtij legjislacioni ishte paralajmëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fillim të shtatorit, duke thënë se një prokurori speciale dhe një trup gjykues special “do t’i ndjekin penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.
“Zgjidhjet e propozuara ligjore parashikojnë që juridiksionin në lëndët penale në shkallë të parë ta kenë Prokuroria e Lartë Publike dhe Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa për procedurën në shkallën e dytë Prokuroria Publike e Apelit dhe Gjykata e Apelit në Beograd”, tha Qeveria serbe.
Ajo tha se është planifikuar që në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd të krijohet një “departament special për ndjekjen e krimeve të kryera në territorin e ‘Kosovës dhe Metohisë’”.
Më 13 shtator, presidenti serb Vuçiq njoftoi se legjislacioni për organizimin e juridiksionit të organeve gjyqësore serbe për zonën e Kosovës do të miratohej nga Kuvendi i Serbisë brenda 45 ditëve. Siç tha Vuçiq asokohe, prokuroria do të ketë “detyrë të veçantë të hetojë dhe të ndjekë penalisht veprat penale dhe të kundërligjshme të punonjësve dhe zyrtarëve të institucioneve në Prishtinë”.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, dhe rrjedhimisht as institucionet e saj.
Serbët e Kosovës, posaçërisht në veri, janë udhëhequr me dekada nga Beogradi dhe nga institucionet paralele serbe, përfshirë, bankat serbe, një sistem pensionesh dhe beneficionet.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ndërmori disa hapa këtë vit për t’i mbyllur institucionet paralele serbe në veri, në përpjekje për ta shtrirë autoritetin e Prishtinës në veri sa më shumë.
Qeveritë perëndimore i kanë kritikuar hapat e Kurtit duke thënë se ato janë ndërmarrë në mënyrë të “pakoordinuar” dhe në një kohë kur tensionet ende janë të larta në veri.
Në të njëjtën seancë të hënën, Qeveria serbe e ka miratuar edhe një projektligji për shpalljen e Kosovës si “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.
Sipas saj, ky projektligj ofron mbështetje financiare për të papunët, gjegjësisht ata mbi 65 vjeç që nuk kanë ushtruar të drejtën e pensionit, “me qëllim të mbijetesës së tyre në atë territor dhe inkurajon ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike, me theks në zhvillimin demografik, ekonomik dhe kulturor”./REL
“Ujku i Çeliktë”, Osmani: Krenarë me vajzat dhe djemtë e ush...
Rebelët Huthi sulmojnë anije në Detin e Kuq
Abdixhiku viziton bizneset në Suharekë, zotohet për mbështet...
Haradinaj: Që në vitin e parë, nuk do të ketë pagë minimale ...
Blinken në Evropë për bisedime rreth Ukrainës përpara kthimi...
Konjufca priti në takim përfaqësuesin në ikje të Norvegjisë ...