Procedohet në Qeveri Projektligji i Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

15:25 | 24 Dhjetor 2021
A Z

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se e kanë proceduar në Qeveri projektligjin për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se ky projektligj është shumë i rëndësishëm.

“Ky projektligj i cili është punuar nga ekspertët më të mirë të fushës (vendor dhe ndërkombëtar), përmban dispozita materiale dhe procedurale të cilat synojnë verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht. Njëkohësisht projektligji garanton respektim të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare”.

“Parandalimi dhe ndëshkimi i keqpërdorimit të të mirave publike, ka qenë dhe mbetet njëri ndër top prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe aprovimi e implementimi i këtij Ligji, është një hap tutje i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi”,ka thënë Haxhiu.