Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Teksas të SHBA-ve, ka zhvilluar një takim me presidentin e 43-të, të SHBA-ve, George W. Bush, të cilin e ka falënderuar në emër të popullit të Kosovës për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme për vendin tonë.
Presidentja Osmani theksoi se Presidenti Bush ishte një mbështetës i vendosur për pavarësinë e Kosovës, një mik dhe aleat i popullit të Kosovës, duke theksuar se në çdo kapitull të Republikës së Kosovës jeton trashëgimia e tij, e cila zanafillën e ka te paralajmërimi i Krishtlindjes i Presidentit George H.W. Bush, babai të tij.
Gjatë takimit në Institutin Bush në Dallas, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për Presidentin Bush, për mbështetjen dhe solidaritetin e tij për Kosovën, duke potencuar rolin e rëndësishëm të lidershipit të tij në shpalljen e pavarësisë.
“Mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur”, është fraza paralajmëruese e pavarësisë së Kosovës e presidentit Bush në Tiranë më 2007, e cila do të mbetet e gdhendur në analet e historisë si një afirmim i vendosur i të drejtës së Kosovës për të qenë e pavarur. “Presidenti Bush ishte lajmëtari i pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se aleanca e Kosovës me SHBA-të është testament për vlerat e përbashkëta dhe përkushtimin ndaj lirisë dhe demokracisë.
Ndërkaq Presidenti Bush foli me respekt për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë dhe rrugëtimit për shtetetndërtim, konsolidim dhe forcim të pozitës ndërkombëtare. Ai ripohoi miqësinë e tij të qëndrueshme me Kosovën, duke e shprehur besimin për një të ardhme edhe më prosperuese ku Kosova është e integruar në strukturat euroatlantike./Arbresh.info/
Operacion policor në Fier, sekuestrohen dy armë zjarri
Liverpooli ia “mbyll derën” Juventusit për Chies...
Merret vendim në tërë Kosovën, shtyhet procesi mësimor deri ...
KRU “Mitrovica” apelon te konsumatorët që uji të mos përdore...
Parashikimi i motit për nesër, me riga shiu
Lëndohet përsëri Ter Stegen