Policia parandalon kontrabandën në Han të Elezit, arrestohen dy maqedonas dhe një kosovar

13:24 | 21 Shkurt 2025
E.K

Njësitë patrulluese të Policisë Kufitare nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare në Hani i Elezit kanë parandaluar një rast të kontrabandës në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 03:20 të mëngjesit, patrullat kanë ndaluar tre automjete në fshatin Seqishtë, Hani i Elezit, të cilat dyshohet se ishin të përfshira në kontrabandën e mallrave.

Gjatë kontrollit, në këto automjete janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme komerciale.

“Gjatë kontrollit, në këto automjete janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme komerciale, përfshirë veshmbathje, bizhuteri, aksesorë, mjete pune dhe shumë artikuj të tjerë, të cilët dyshohet se po kontrabandoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.

Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar tre persona të dyshuar: M.B., 23 vjeç, shtetas i Maqedonisë së Veriut, A.N., 32 vjeç, shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe I.L., 19 vjeç, shtetas i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa mallrat e kontrabanduara dhe automjetet janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor në Han të Elezit.

“Policia Kufitare vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke siguruar një kufi të sigurt dhe të kontrolluar”, thuhet në njoftim./Arbresh.info