Pas shumë kritikave, sqarohet Edi Rama: Nuk flas në emër të Kosovës!

19:04 | 16 Tetor 2016
M. A.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas kritikave të forta që mori gjatë vizitës në Beograd, duke tentuar që të flas në emër të Kosovës dhe për Kosovën, sot sikur ka dashur të sqarohet.
Në një paraqitje “live” në Facebook, Rama ka folur sikur nuk është problem që Serbia nuk e njeh Kosovën dhe se duhet të bashkëpunohet me Beogradin për shkak të fuqisë së dy kombeve më të mëdha në Ballkan.

Tutje ai e ka përmendur bashkëpunimin e pas luftës së Dytë Botëror ndërmjet Francës dhe Gjermanisë si model për tejkalimin e mosmarrëveshjeve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, transmeton lajmi.net.

Gjatë fjalimit “live” në Facebook, Edi Rama është zënë ngushtë nga një komentues. Marenglen Arapi e ka komplimetuar atë për “qëndrim të duhur për Kosovën”, por më pas ka theksuar se “ndoshta mund te ishte diskutuar më parë me Qeverinë e Prishtinës për rolin që mund të luaj Tirana zyrtare në bisedimet me Beogradin”.

“E them këtë pasi nuk më la shije të mirë replika e ministrit Hoxhaj. Cili është mendimi juaj zoti Edi Rama?”, ka pyetur Arapi atë, transmeton lajmi.net.

Dhe siç ndodh rrallë, Rama i është përgjigjur atij. “Ne nuk flasim në emër të Kosovës, kjo është e drejta dhe detyra e Prishtinës, ne flasim për Kosovën, kjo është detyra dhe e drejta jonë!”, ka qenë përgjigjja e Ramës.

Kryeministri i Shqipërisë është kritikuar ashpër në Kosovë edhe për citimin e Ivo Andriqit në Beograd, kur dihet se ideologjia e tij ka qenë fashiste ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale