Pacolli: Nëse Serbia vazhdon me “Proba” edhe Kosova do të fillojë me “tabela provuese”

00:19 | 14 Gusht 2015
M. A.

Drejtori i Kompanisë së sigurimeve Siguria Rrahim Pacolli dhe njëkohësisht udhëheqës në bisedimet për Marrëveshjen për policat kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë, e cila ka filluar së zbatuari që nga data 12 gusht, ka këmbëngulur se ajo është në të mirë të qytetarëve të Kosovës, transmeton Interaktiv.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje nuk është arritur me Serbinë por me Bashkimin Evropian ndërsa ka shtuar se zbatimi i Marrëveshjes po shkelet nga Serbia.

Sipas tij, me marrëveshje nuk ishte paraparë që në territorin e Serbisë, në vend të targave RKS të vendosen targat “Proba”.

Ai tha se nëse Serbia vazhdon me zbatimin e asaj që ka filluar rreth tabelave “Proba”, Kosova më së largu deri më 3 shtator do të fillojë me reciprocitetin, që do të thotë se, sipas tij, në Kosovë, edhe veturat nga Serbia do të pajisen me tabela provuese, po ashtu me pagesë.

Pacolli disa herë ka përsëritur se Marrëveshja është bërë për interesa të kompanive të sigurimit dhe jo të shtetit ndërsa ka shtuar se ajo megjithatë është në dëm të kompanive.

Bashkëbiseduesi në Interaktiv ka treguar se në këtë post, udhëheqës të këtyre bisedave dhe nënshkrues të marrëveshjes, e ka emëruar Hashim Thaçi derisa ka qenë në postin e kryeministrit të vendit, ndërsa ka shtuar se vëllai i Hashim Thaçit, Gani Thaçi në “Siguria” s’e ka penguar asnjëherë në punën që Pacolli e kryen.
Një shpjegim interesant Pacolli e ka dhënë për reciprocitetin që sipas tij bazohet në atë se procedurat për aksident në Serbi do të ndiqen sipas ligjeve të Serbisë ndërsa ato në Kosovë sipas ligjeve në Kosovë.

Shefi i Sigurisë ka thënë se Marrëveshja është në të mirë të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Serbi dhe të bashkatdhetarëve tanë.

Marrëveshja sipas tij është një hap drejt arritjes së Marrëveshjes së Kartonit të Gjelbër.

Shpërndaje në rrjete sociale