Pacolli: Me Thaçin nuk jam takuar, biseduam në telefon për kërcënimet e Kurtit dhe Sveçlës

08:53 | 7 Maj 2020
M. A.

Kryetari i AKR-së dhe ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se ai nuk e ka takuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe as nuk ka hyrë nga Shqipëria në Kosovë përmes makinës së tij, siç u pretendua.

Këtë deklaratë Pacolli e bëri në emisionin “Ilva Now” në Euronews Albania. Ai theksoi se nuk e ka takuar fare Thaçin, por ka biseduar thjesht në telefon mbi kërcënimet e kryeministrit Kurti dhe të ministrit Xhelal Sveçla.

“Unë kam folur me zotin Thaçi në telefon atëherë kur kanë lluar kërcënimet. Kemi folur në mënyrë satirike se në çfarë forme jemi kërcënuar. Ai më thërret dhe më thotë: shikoje linkun çfarë thotë Kurti dhe Sveçla thonë”, tha ai.

Pavarësisht kërcënimeve për arrestim, Behgjet Pacolli shprehet i qartë dhe tejet këmbëngulës, kur thotë se do të jetë prezent në Kuvend për formimin e qeverisë së re, natyrisht pas vendimit që do të japë Gjykatës Kushtetuese mbi dekretin Thaçi.

“Unë jam deputet i Kuvendit, pa marrë parasysh kërcënimet që mi bëjnë, unë do të shkoj sepse është obligim i imi, se unë jam deputet i Kosovës dhe i zgjedhur nga qytetarët e Kosovës”, shtoi ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale