Osmani pret përkrahje nga Zyra e BE-së për liberalizim të vizave

13:39 | 22 Prill 2021

Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, të cilit i shprehu mirënjohje pas vendimit të fundit të BE-së për të ndarë një sasi të vaksinave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Sigurimi i vaksinave është prioriteti kryesor për institucionet e vendit, andaj jemi tejet falënderues për sigurimin e 95 000 vaksinave nga ana e BE-së për qytetarët tanë. Është shumë e rëndësishme të kuptohet me seriozitet dhe të komunikohet qartë gjendja e rëndë me pandeminë në vendin tonë, në mënyrë që kjo të reflektohet në kriteret përcaktuese për ndarjen e vaksinave përmes nismave si kjo e BE-së dhe ajo e COVAX-it”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në takim, Presidentja Osmani foli për prioritetet programore gjatë mandatit të saj, duke vënë theks të veçantë në politikën e jashtme, fushën e sigurisë, sundimin e ligjit e me ç’rast theksoi se e mbështet plotësisht procesin e vetingut, duke e konsideruar edhe si parakusht për sundimin ligjit dhe demokracisë në vend.

Zonja Osmani tha se do të punohet paralelisht edhe për arritjen e objektivave zhvillimore në përputhje me Agjendën e Gjelbër Evropiane për Ballkanin Perëndimor.

Në takim, Presidentja Osmani theksoi se pret bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e BE-së dhe përkrahje nga aleatët evropian rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës., duke garantuar përkushtimin e institucioneve në vend për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se edhe BE-ja duhet t`i përmbushë obligimet që dalin nga kjo marrëdhënie kontraktuale.

Palët diskutuan edhe për nevojën për reformim të sistemit zgjedhor në vend, përgatitjet për zgjedhjet lokale, teksa u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë drejt avancimit të Republikës së Kosovës në rrugën e integrimit evropian./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara