Osmani: Ftoj deputetët që nesër të caktojnë seancën e re

21:32 | 25 Mars 2026
E.G

Presidentja Vjosa Osmani, ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kërkesën e Qeverisë dhe GP të LVV-së për vlerësim të dekretit të saj për shpërndarjen e Kuvendit.

Në reagimin e Presidencës thuhet se ky aktgjykim konfirmon se Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese.

Vendimi thuhet se sqaron edhe procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri, duke specifikuar se afati 60-ditor për këtë proces duhet të përfundojë së paku 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual.

Në reagim, tutje thuhet se Gjykata në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes.

“Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që e shkakton këtë proces të zgjedhjeve”, u tha në reagimin e Presidencës.

Presidenca thotë se ka shprehur të njëjtin qëndrim në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke potencuar se “dekreti është thjesht formalizim i një situate ekzistuese dhe se nuk është dekreti, por është vetë dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit që e çon vendin në zgjedhje”.

Rrjedhimisht, duke qenë se rrethana e moskonstituimit të Kuvendit me kohë nuk ka qenë e paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Presidenca thotë se Gjykata ka interpretuar një rrethanë përjashtuese që vlen për këtë rast specifik, duke sqaruar se “në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë, duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.

Presidentja thuhet se e mirëpret afatin 34-ditor të dhënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e gjykatës dhe u bëri atyre thirrje që “urgjentisht ta kryejnë këtë detyrim kushtetues”.

“Dhënia e këtij afati shtesë nga ana e gjykatës kushtetuese assesi nuk ka qenë në kompetencën e Presidentes së Republikës. Por është pikërisht dekreti i Presidentes që e ka hapur rrugën për këtë sqarim të rëndësishëm nga ana e gjykatës si autoritet i vetëm dhe përfundimtar për të interpretuar Kushtetutën”, u tha në reagimin e Presidencës.

Tutje, nga Presidenca kritikojnë edhe deklaratat politike “për kinse shkelje kushtetuese”, duke thënë se të njëjta “tregojnë edhe keqlexim të aktgjykimit, por edhe politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese: që dështimi për zgjedhjen e Presidentit të vendit është i deputetëve dhe si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së Presidentit”.

“Në vend të deklarimeve të tilla të paqëndrueshme, ftojmë Kuvendin e Kosovës që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ta kryejnë detyrimin për të cilin janë zgjedhur, duke i dhënë vendit stabilitet dhe siguri”, tha Presidenca në reagimin e saj.

Shpërndaje në rrjete sociale