Nisma: Krijimi i asociacionit, lajm i keq për Kosovën

14:45 | 24 Gusht 2015
M. A.

Anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën, Bajram Hasani, e ka kundërshtuar krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai në profilin e tij në “Facebook”, ka shkruar se krijimi i këtij asociacioni është edhe një lajm i keq për Kosovën.

“Krijimi i këtij asociacioni do të thotë humbje e autoritetit të shtetit në nëntë komuna edhe pse Kosova nuk e njeh nivelin e tretë të pushtetit, që ka të bëj me autonominë e një rajoni”, ka deklaruar Bajrami.

Postimi i plotë i anëtarit të Kryesisë së Nismës për Kosovën, Bajram Hasani:

Krijimi i asociacioni të komunave serbe të Kosovës, është edhe një lajm i keq për Kosovën. Ky asociacion është edhe një gjymtim i shtetit të Kosovës. Krijimi i këtij asociacioni do të thotë humbje e autoritetit të shtetit në nëntë komuna edhe pse Kosova nuk e njeh nivelin e tretë të pushtetit, që ka të bëj me autonominë e një rajoni.

Pos komunave që qeveria ka lejuar që të administrohen nga Serbia që nga paslufta si Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviçi dhe veriun e ndarë prej Mitrovicës, me krijimin e asociacionit ne po e mundësojmë, me pëlqimin tonë që Serbisë t’i jepen edhe komunat e tjera që janë krijuar sipas planit të Ahtisaarit si Graçanica, Parteshi, Ranillugu, Kllokoti dhe Shtërpca. Ne duhet që me çdo kush të parandalojmë krijimin e këtij asociacioni. Kjo marrëveshje u jep të drejta komunave me shumicë serbe që të marrin vendime në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e aplikueshme.

Deklaratat nga drejtuesit e shtetit se, asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë karakter legjislativ dhe as ekzekutiv, janë pak të besueshme, sepse tash e sa vjet jemi mësuar me deklarata të tilla dhe realitet ndryshe. Këto janë vetëm deklarata që mundohen ta fshehin të keqen e madhe që po i kanoset vendit tonë.

Shpërndaje në rrjete sociale