Nisin përgatitjet për themelimin e Bankës së Diasporës

19:53 | 9 Prill 2018
M. A.

Zëvendëskryeministri njëherit Ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi së bashku me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko kanë takuar në Cyrih Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Zvicër.

“Është kënaqësi të ju takojmë që të dy rrjetet nga Zvicra e Gjermania këtu në Qendrën tonë Kulturore dhe të bisedojmë për projekte të përbashkëta. Mendoj se ideja e hapjes së një Ode Ekonomike të Diasporës në Prishtinë është një projekt shumë i rëndësishëm dhe duhet të realizohet e jo të mbetet vetëm si ide. Ne në Kosovë kemi një numër të madh të bizneseve të vogla dhe të mesme por edhe të mëdha nga diaspora. Një përqindje e madhe e prodhimit që bëhet në Kosovë është nga kompani të diasporës”, tha ministri Gashi.

Gashi informoi afaristët nga Zvicra dhe Gjermania për platformën e re të regjistrit të bizneseve të diasporës e cila pritet të promovohet së shpejti, dhe ku bizneset nga e gjithë diaspora në formë elektronike do të mund të lidhen për projekte dhe bashkëpunime të frytshme në të ardhmen.

Këtij takimi iu bashkua edhe Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani, për të diskutuar po ashtu mundësitë e bashkëpunimit dhe realizimit të projekteve të përbashkëta nga të dy organizatat në Kosovë dhe Shqipëri.

Kërkesat e bizneseve ishin lehtësimi i barrierave burokratike të trashëguara nga e kaluara të eliminohen ashtu që Kosova të jetë një vend atraktiv për investime.