Në 20 vjetorin e vrasjes dhe zhdukjes së kufomës së veprimtarit kosovar Remzi Hoxha, ka nisur nënshkrimi i peticionit publik drejtuar institucioneve shtetërore të Tiranës zyrtare për ndëshkimin e vrasësve të tij.
Ky peticion ka filluar qysh para dy ditësh në versionin online, ndërsa sot ka filluar edhe publikisht në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.
Edhe pse gjyqësori për vrasjen e tij ka mbaruar dhe është vërtetuar se Shërbimi Informativ Kombëtar i Shqipërisë në vitin 1995 ka bërë zhdukjen dhe torturën e tij, personi i cili është dënuar për këtë rast Ilir Kumbaro vazhdon të endet i lirë pa e vuajtur dënimin e tij.
Por, ajo që i mundon më së shumti familjarët e tij nuk është vetëm se shteti shqiptar ka bërë shumë pak për zbardhjen e rastit , , por, ajo që ata ende nuk e dinë se ku gjenden eshtrat e tij.
Djali i madh i Remzi Hoxhës, Ardiani, thotë se tani është momenti kur me të vërtetë duhet të bëhet diçka dhe të ndalet dhimbja e familjes së tij.
Ardian Hoxha, thotë se në fillim të mandatit të Edi Ramës, para dy viteve, kanë marrë premtime nga ai që do të zgjidhet kjo çështje, por, se Rama në fillim ka qenë i pafuqishëm pasi që organet e drejtësisë kanë qenë ende nën kontrollin e Sali Berishës.
Ai beson që tash kur Edi Rama si kryeministër e ka autoritetin e duhur do iu ndihmojë, por, sipas tij, kjo gjë do të jetë e mundshme pasi që ata të futen në agjendën e Ramës, për të cilën edhe po bëhet e gjithë kjo përpjekje.
“Tash jemi në një situatë ku Edi Rama si kryeministër i Shqipërisë e ka autoritetin e duhur, fuqinë e duhur që të mund të bëj diçka në këtë drejtim. E kemi parë edhe me veprimet që po i bënë ai atje, do të thotë me zhdukjen e Llazaratit komplet, siç ishte gjetja e vrasjes së turistëve çekë, që në të dy rastet i gjeti vrasësit për 24 orë… Ai ka fuqi që të vë drejtësi, edhe në këtë rast ai mundet ta vë drejtësinë në vend, mund ta kap Ilir Kumbaron i cili është person i dënuar për këtë rast dhe faktikisht të mbyllet gjithë kjo dhimbje për familjen, por edhe kjo pikë e zezë për gjithë Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët”, ka thënë Hoxha.

Ardiani, thotë se për këtë gjë kanë kërkuar ndihmë edhe nga Kosova, ku sipas tij, shumë deputetë nga të gjitha partitë politike kanë shprehur vullnetin për t’i ndihmuar familjes së tij për këtë rast.
Ai shpreson se sapo të qetësohet pak situata në Kosovë do të bëhet një Rezolutë me anë të së cilës do të kërkohet zyrtarisht nga Qeveria e Shqipërisë për zbardhjen e rastit të babait të tij.
E nëse as me anë të këtij peticioni nuk do të ketë ndonjë lëvizje, Ardiani thotë se ata do të kërkojnë ndihmë edhe nga institucionet ndërkombëtare.
Hoxha, kërkon nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të nënshkruajnë këtë peticion duke i ndihmuar atij dhe familjes së tij që të shtyjnë Qeverinë shqiptare që të bëj zbardhjen e rastit të Remzi Hoxhës.
Për shkak se Hoxha ishte shtetas i Kosovës, i Maqedonisë dhe i Shqipërisë ky peticion është bërë i mundur të nënshkruhet në Tiranë, pranë Operës dhe Baletit në Sheshin Skënderbeu dhe pranë Librit Universitar, në rrugën “Abdyl Frashëri”. Në Prishtinë në Sheshin “Nënë Tereza”, pranë kinemasë ABC, kurse në Shkup nënshkruhet në Çarshinë e Vjetër, pranë Galerisë së Arteve.
Përndryshe, Remzi Hoxha, u mor peng nga SHIK-u i udhëhequr nga Bashkim Gazidede në tetor të vitit 1995 dhe siç është provuar nga një proces gjyqësor në Tiranë, u vra dhe u zhduk kufoma prej disa drejtuesve të këtij institucioni.
KEK: Njësia B1 rikthehet në operim, prodhimi i energjisë në ...
Alban Zogaj: LDK nuk është parti e rrjeteve sociale
Sorensen takoi komandantin e KFOR-it, flasin për bashkëpuni...
Ilir Ferati reagon për situatën në parti: LDK është më e mad...
Komuna e Suharekës hap afatin për aplikim për vlerësimin e d...
Orientimi antiperëndimor i Serbisë