Minoritetet kërkojnë të drejtat e tyre për arsim

17:25 | 21 Shtator 2015
M. A.

Komisioni parlamentar për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, në mbledhjen e sotme shqyrtoi çështjen e Rektoratit të UP-së në lidhje me mos hapjen e afatit të dytë për pranim të studentëve nga radhët e komunitetit pakicë në vend. Nga anëtarët e këtij Komisioni u kërkua që të hapet afati i tretë për regjistrimin e studentëve edhe të këtij komuniteti.

Kryetarja e Komisionit, Jasmina Zivkovic, kërkoi nga anëtarët që ta mbështesin kërkesën e saj për mundësinë e hapjes së afatit të tretë nga Rektorati për pranimin e studentëve të komunitetit joshumicë, të cilët i kanë përmbushur kuotat e caktuara në afatin e parë. Ajo theksoi se për këtë çështje duhet të themelohet një Grup punues dhe të njoftohen me këto kërkesa Ministria e Arsimit dhe Rektorati.

Ndërkaq, anëtari i këtij Komisioni, Veton Berisha, thekson se me Udhëzim administrativ u është dhënë hapësirë dhe mundësi komuniteteve pakicë për të ngritur nivelin e edukimit.

 

“Në momentin kur është bërë Udhëzimi administrativ është menduar që me lënë një hapësirë dhe me iu dhënë një mundësi komuniteteve pakicë për të gritë nivelin e eduki mit. Komuniteti pakicë mos të trajtohet sikur që ka qenë përpara politikë e ngufatjes dhe ndërprerjes në edukim”, tha Berisha.

Sipas tij, ajo çfarë po ndodh me arsimin për minoritetet është shqetësuese, pasi, sipas tij, ka pabarazi.

Anëtari tjetër i Komisionit, Danush Ademi nga radhët e Grupit 6+, tha se çdo vit po paraqiten probleme për rezervimin e vendeve për komunitete, ku 328 vende janë të rezervuara për ta. Sipas tij, në këtë rast me moshapjen e afatit të dytë, atyre po u shkelen të drejtat.

 

“Unë mendoj se nxënësit duhet të regjistrohen sipas kualifikimeve (pikëve) ku e meritojnë… Ne kemi listën këtu që aplikantët e kanë kaluar me pikët e kërkuara provimin dhe nuk janë pranuar në afatin e parë. Kjo është brengosëse”, theksoi Ademi.

Edhe deputeti q ë është anëtari Komisionit për Kthim, Agim Kikaj nga radhët e LDK-së, kërkoi të përsëritet konkursi për ato vende dhe për ato kuota që janë të parapara për komunitetet joshumicë.

“Unë do të mbështetja edhe një herë publikimin e konkursit për ato vende dhe për ato kuota që janë të parapara për komunitetet joshumicë, në këtë rast jo serb, por për komunitetet tjera. Kështu që të bëjmë kujdes të mos e politizojmë se nuk ka ndonjë motiv”, tha Kikaj.

Ndërkaq, anëtarja e Komisionit Mufera Shinik, nga radhët e Grupit 6+, kërkoi të merret diploma në gjuhen turke për ata që kryejnë shkollën me këtë gjuhë.

Shpërndaje në rrjete sociale