Ministrja Haxhiu: Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, s’i bëhet vonë që qytetarët e saj të votojnë

11:48 | 23 Shkurt 2022
A Z

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për kërkesën e Serbisë që zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 3 prillit të mbahen edhe në Kosovë.

Haxhiu tha se, Serbia nuk po e kërkon një gjë të tillë për shkak se brengoset që qytetarët e saj, që kanë dy shtetësi, të ushtrojnë të drejtën e votës, por se ka pretendime territoriale këtu.

Sipas saj, qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë mund të votojnë për zgjedhjen e presidentit dhe legjislativit në Serbi përmes Zyrës Ndërlidhëse në Kosovë ose me postë, ashtu siç u propozua edhe për referendumin e 16 janarit.

“Të gjithë jemi në dijeni se Serbia i ka pretendimet e saj për të mbajtur zgjedhjet e saj në Kosovë jo pse kërkon që një e drejtë e qytetarëve të tyre të adresohet, mirëpo sepse ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Serbisë s’i bëhet vonë për të drejtat e qytetarëve, por përmes atij veprimi do që të jetë në linjë me Kushtetutën e saj. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës e kanë nxjerrë një rezolutë ku e kanë ndaluar mbajtjejn e referendumit kushtetues më 16 janar. Konsiderojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, por edhe legjislacioni në fuqi. Qytetarëve të cilët kanë dy nënshtetësi duhet t’iu ofrojmë zgjidhje dhe ne zgjidhjen e kemi dhënë, të votohet në zyrën ndërlidhëse në Kosovë apo me postë,” tha ajo në një konferencë për medie./arbresh.info/