Mbahet manifestimi përkujtimor për 98 viktimat e Masakrës së Rezallës

11:34 | 5 Prill 2022
A Z

Ditën e sotme është mbajtur manifestimi përkujtimor për 98-të të rënët e fshatit Rezallë në Skenderaj.

Në këtë manifestim u kërkua drejtësi për këtë masakër dhe kryerësit e saj të dalin para drejtësisë.

Kjo masakër njihet si njëra prej masakrave më të mëdha në Drenicë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura, tha se kjo masakër është dhimbja e malli i pashuar për më të dashurit e tyre.

“Masakra e Rezallës është dhimbja jonë, malli i pashuar për më të dashurit tanë. Likoshani e Qirezi, Izbica janë lavdia e luftës heroike. 98 persona u vranë në vitin 1999. Për të gjithë që përjetuam atë tmerr është e freskët e gjithë ajo që ndodhi atë ditë. Familjet kishin edhe ankthin e pritjes së familjarëve të zhdukur. Vitin e kaluar u kthyen eshtrat e fundit”, tha ai.

E kryesuesi i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari, foli për ish-krerët e UÇK-së që gjenden në Hagë. Tha se falë veprimit të UÇK-së dhe atdhetarëve, sot kjo pjesë e atdheut është e lirë.

“Sot në këtë kujtim duke ardhur për t’i nderuar të rënët në Rezallë në mendje më erdhi Hasan Prishtina i cili kur iu është drejtuar të pranishmëve kish thënë “ne jemi duke bërë luftën për të çliruar tokat shqiptare”. Falë veprimit të UÇK-së dhe atdhetarëve, sot kjo pjesë e atdheut është e lirë. Obligohemi t’i nderojmë sepse këtë liri po e gëzojmë të gjithë”./arbresh.info/