Largohet me dhunë ish-drejtoresha e shkollës”Faik Konica” nga zyra e saj

11:08 | 19 Nëntor 2016
M. A.
Disa punëtorë të Komunës së Prishtinës në mënyrë të dhunshme e kanë hapur derën e drejtorisë së Shkollës fillore “Faik Konica”.
 Për 12 vite radhazi udhëhoqi dy shkolla në kryeqytet. Për 8 vite, Kumrije Sahiti udhëhoqi vetëm shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë. Në fund nga shkolla doli pa vullnetshëm. Para pak javësh, në konkursin e fundit, për emërimin e një drejtori në shkollën “Faik Konica”, u emëruar drejtoreshë, Gjylije Bala.

Megjithëkëtë, drejtoresha Sahiti nuk ia lëshoi zyrën, pasi konsideronte se është drejtoreshë deri në një vendim të lëshuar nga Komuna e Prishtinës, ndërkohë që autoritete komunale nuk po ia lëshonin atë vendim me arsyetimin se pse ajo nuk është drejtoreshë më, shkruan lajmi.net.

Për më shumë se një muaj, drejtoresha e re Gjylije Bala ka shkuar në zyrën e zv. drejtorit.

Lajmi.net ka mësuar se para rreth një muaji, disa persona, punëtorë të Komunës së Prishtinës, pak para se të shkonte në zyre ish drejtoresha Sahiti, e kanë thyer derën, pasi ajo ishte e mbyllur me çelës, dhe brenda është futur drejtoresha e re, Gjylije Bala.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net edhe vetë Kumrije Sahiti, ish drejtoreshë në Shkollën fillore “Faik Konica”. Ajo ka pohuar se nuk e di kush ia ka thyer zyrën, por thotë se brenda i kanë mbetur shumë dokumente personale.

“Nuk e di se kush kanë qenë, por e kanë thyer derën. Kam kërkuar nga drejtoresha (drejtoreshë e Departamentit të Arsimit në Komunën e Prishtinës), Arberie Nagavci  disa herë me shkrim e me gojë që të më kumtohet vendimin, se pse nuk jam pranuar si drejtoreshë. Pra, unë kam kërkuar të më lëshohet vendimi se nuk jam më drejtoreshë. Kaq. Dhe duke qenë se nuk ka pasur ndonjë vendim, unë kam shkuar në punë, si rëndom. I kam thënë Nagavcit se jam konsultuar edhe me avokat dhe me Inspektorat se nuk bënë të dilet nga puna pa të lëshuar Komuna një vendim. Dhe ata pastaj e kanë thyer derën. Në zyre kam akoma gjera të mija të cilat ende nuk i kam marrë. Madje, aty e kam edhe kuletën me të gjitha dokumentet personale. Ata e kanë hapur kuletën time, dhe kjo është vepër penale. Kuleta ende është aty”, tha ish drejtoresha Sahiti.

Ajo kishte garuar vetë për drejtoreshë në këtë shkollë, dhe tash pretendon se është thyer ligji disa herë kur është emëruar drejtori i ri.

“Në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kam parashtruar ankesë ngasë janë shkelur disa pika të ligjit. Janë bërë nëntë shkelje drastike. Drejtoresha e zgjedhur e shkollës nuk është dashur as të ftohet për intervistim pasi që ajo nuk ka asnjë certifikatë. Edhe Udhëzimi Administrativ i Ministrisë Arsimit, e përcakton se kandidatët duhet të kenë të përfunduar një program të kualifikimit profesional për udhëheqje, gjë që drejtoreshës së zgjedhur i ka munguar. Por, besoj se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës shumë shpejtë do ta jap fjalën e vetë dhe do të shihen se kanë qenë një mal me shkelje”, ka thënë Sahiti.

Lidhur me këtë çështje, lajmi.net ka kërkuar sqarim edhe nga drejtoresha e Komunës së Prishtinës, Arberie Nagavci, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Drejtoresha e re e Shkollës, Gjylije Bala nuk ka dashur të flas lidhur më këtë rast, duke konsideruar se përzihet mes palëve, siç ka thënë ajo në mes ish drejtoreshës dhe Komunës së Prishtinës.

Shpërndaje në rrjete sociale