Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e 150 civilëve në Rahovec më 19 korrik të vitit 1998 nga forcat serbe.
Ai thotë se forcat serbe u munduan ta fshehin krimin, por sipas tij, nuk mund të zhduken e as harrohen krimet e kryera nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore, raporton Arbresh.info.
“Më 19 korrik 1998, ushtria dhe polica serbe vrau, dogji, plagosi, rrahu e maltretoi, mori peng dhe zhduku me dhunë civilë shqiptarë të Rahovecit. Ekzekutimet vijuan për disa ditë me radhë. U masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit. Në përpjekje të fshehjes së krimeve, forcat serbe hapën dy gropa të mëdha në Rahovec dhe i hodhën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj masakre. Por nuk mund të zhduken e as harrohen krimet e kryera nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore”, shkruan Kurti në Facebook.
Ai shkruan se për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, po themelohet Instituti i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, po themelojmë Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Një zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi. Me angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në sistemin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, përkujtojmë 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit. Nderojmë të mbijetuarit që u bënë ballë plagëve në trup e në shpirt. Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, shkruan i pari i Qeverisë, Albin Kurti./Arbresh.info/
Postimi i plotë
Policia e Kosovës dhe Shërbimi Sekret Amerikan drejt bashkëp...
Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në...
Shtyhet më 12 mars seanca paraprake për dosjen “Meta”
Llapi siguron gjysmëfinalen pas ekzekutimit të penalltive
LVV mund t’i drejtohet Kushtetueses nëse dështon zgjedhja e ...
Fundoset në Mesdhe një tanker rus me gaz natyror, Moska akuz...