Kurti në hapjen e Javës së Frankofonisë: Dialogu është më i fortë se izolimi dhe kultura më e qëndrueshme se konflikti

22:46 | 23 Mars 2026
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmjen e sotme në hapjen e Javës së Frankofonisë në Prishtinë, ku mbajti edhe fjalën hyrëse të këtij edicioni.

Në fjalimin e tij, Kurti theksoi rëndësinë e kulturës dhe gjuhës si ura lidhëse ndërmjet popujve, sidomos në kohë kur, sipas tij, ndarjet po thellohen.

“Dialogu është më i fortë se izolimi dhe kultura më e qëndrueshme se konflikti”, u shpreh ai.

Kryeministri vlerësoi vendet frankofone si partnerë të rëndësishëm të Kosovës, duke nënvizuar se mbështetja e tyre ka qenë e çmuar në rrugëtimin e shtetit drejt forcimit të institucioneve demokratike. Ai ritheksoi gjithashtu synimin e Kosovës për të avancuar statusin në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, nga anëtare e asociuar në anëtare të plotë.

Kurti u ndal edhe te rëndësia e gjuhës dhe kulturës, duke theksuar se respekti për gjuhët e tjera buron nga përkushtimi për ruajtjen e gjuhës shqipe. Ai përmendi gjithashtu ndikimin e letërsisë franceze në zhvillimin e mendimit kritik dhe reflektimit.

Në fund, ai falënderoi ambasadat dhe organizatorët për kontributin në organizimin e kësaj jave, duke theksuar rolin e të rinjve në forcimin e lidhjeve kulturore mes Kosovës dhe vendeve frankofone.

Fjala e plotë:

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,

I nderuari z. Olivier Guérot, ambasador i Francës në Republikën e Kosovës,

Të nderuar ministra, deputetë, përfaqësues e drejtues të institucioneve të shtetit,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe diplomatë të tjerë të vendeve të akredituara në Republikën e Kosovës, në veçanti ambasadori zviceran, i Belgjikës dhe ai i Luksemburgut,

I nderuar kryetar i Prishtinës, Përparim Rama,

Të nderuar përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile,

Të dashur miq të Francës dhe të Kosovës,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi të jem mes jush në këtë mbrëmje, e cila shënon hapjen e Frankofonisë si javë e posaçme në kalendarin vjetor në Kosovë. Kjo ngjarje na kujton se kultura peshon rëndë, gjuha lidh njerëzit dhe vlerat bashkojnë popujt. Në këtë kohë kur ndarjet po thellohen, kjo na rikthen te thelbësorja, se dialogu është më i fortë se izolimi dhe kultura më e qëndrueshme se konflikti.

Vendet frankofone janë miq të çmuar dhe partnerë të rëndësishëm për Kosovën. Mbështetja e tyre vazhdon të mbetet e vyer në rrugëtimin tonë si shtet, e ndërtuar mbi besim, respekt dhe synim të përbashkët për një shoqëri të lirë e demokratike.

Kosova mbetet e përkushtuar për të forcuar praninë e gjuhës frënge në shkollat tona dhe për të shtuar bashkëpunimin me vendet frankofone.

Më lejoni, Shkëlqesi Ambasadorë, të ritheksoj rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes suaj për ngritjen e statusit të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, nga një anëtare e asociuar në anëtare të plotë, si një hap i natyrshëm drejt thellimit të bashkëpunimit tonë.

Shqipja, nga populli shqiptar, mbase më shumë se me libra, është ruajtur me bindje. Respekti ynë për gjuhët tjera, rrjedh nga e njëjta bindje me të cilën kemi mbrojtur tonën. Për ne, çdo gjuhë mbart një histori që nuk mund të përkthehet në tërësi dhe pikërisht aty qëndron rëndësia e saj.

Letërsia franceze nuk është vetëm një trashëgimi kulturore, por një hapësirë ku mendimi thellohet dhe sfidohet. Nga Rousseau e Hygo, ajo na mëson çfarë të mendojmë, por mbi të gjitha si të mendojmë. Në këtë mënyrë, ajo i afrohet filozofisë, ngase të dyja nuk japin përgjigje të shpejta; ato kërkojnë durim në dyshim dhe reflektim të vërtetë. Dhe ndoshta pikërisht kjo është edhe fryma e Frankofonisë, jo t’i njëtrajtësojë dallimet, por t’i kthejë ato në pasuri të përbashkët.

Si një republikë e re, kemi mësuar se forca jonë buron nga vullneti ynë për të qenë të hapur, për të dhënë dhe për të marrë. Ndonëse pa të drejtë, rrethanat politike për Kosovën historikisht kanë vendosur kufij, ne gjithmonë kemi gjetur mënyra për t’u solidarizuar dhe për t’u bashkuar me botën.

Diaspora jonë në vendet frankofone ka qenë një urë e gjallë lidhjeje mes nesh. Përmes saj, kemi njohur jo vetëm gjuhën, por edhe përvoja tjera të të jetuarit. Ky përafrim me kulturat tjera, shpesh ka ardhur në forma të mëdha: në libra, në universitete, në shkëmbime zyrtare; por edhe në forma më të vogla: në një këngë të mësuar përmendësh, në një film të parë disa herë, apo në një shprehje që mbetet gjatë në mendje.

E në këtë mes, ne gjithmonë përpiqemi të jemi nxënës të mirë. Herë mësojmë me përkushtim, e herë me vonesë, por gjithmonë me bindjen se kultura nuk matet me sa e zotërojmë, por me sa e pranojmë atë.

Më lejoni të falënderoj ambasadat dhe të gjithë ata që kanë bërë të mundur këtë javë e që vazhdojnë ta afrojnë frymën frankofone te qytetarët tanë, veçanërisht te të rinjtë. Për të rinjtë që janë sonte këtu: ju jeni bartësit e kësaj afërsie! Përmes jush, ajo përveçse kujtim, bëhet e ardhme dhe përveçse trashëgimi, bëhet zhvillim.

Ju uroj një javë të bukur në Gjilan, qytetin mikpritës të Frankofonisë këtë vit. Le të mbushet ai qytet me gjallërinë e kulturës, me bukurinë e gjuhës dhe me frymën e vlerave që na bashkojnë.

Ju faleminderit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale