Kuçi garanton se Kosova respekton të drejtat kulturore dhe religjioze

15:38 | 11 Tetor 2016
M. A.
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Hajredin Kuçi, priti në takim Raportuesen Speciale për të Drejtat Kulturore të Kombeve të Bashkuara, Karima Bennoune.
Zëvendëskryeministri Kuçi e njoftoi Bennoune se Republika e Kosovës është shtet që garanton të drejta të barabarta të të gjitha komuniteteve, dhe respektimin e të drejtave religjioze dhe kulturore pa diskriminim.

“Mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Kosovë garantohet me Kushtetutën e Kosovës, legjislacionin në fuqi dhe ka bazamentin e mbrojtjes qysh në Planin e Ahtisarit. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të garantojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo religjioze”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.

Zëvendëskryeministri  Kuçi dhe  Bennoune diskutuan për rëndësinë e kulturës si faktor në  krijimin e një ambienti të qetë dhe në harmoni për bashkëjetesë për të gjitha komunitetet.

Zëvendëskryeministri  Kuçi potencoi se Qeveria e Kosovës ka perspektivë dhe orientim të qartë proevropian, ku të drejtat kulturore dhe religjioze të të gjitha komuniteteve mbrohen dhe garantohen gjithmonë duke respektuar laicitetin e shtetit.

Shpërndaje në rrjete sociale