Kosova ofron krijimin e një baze ushtarake të përhershme të ushtrisë amerikane në Kosovë

13:50 | 15 Tetor 2021

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj zhvilloi sot vizitë zyrtare në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes në Pentagon, ku u prit nga Nën-Sekretari i  Departamentit të Mbrojtjes, Colin Kahl.

Mehaj, i ka ofruar atij krijimin e një baze ushtarake të përhershme të ushtrisë amerikane në Kosovë duke vlerësuar se do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan.

“Në kuptim të avancimit të partneritetit të përhershëm, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri Mehaj i ofroi Nën-Sekretarit Kahl mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të ushtrisë amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan”, thuhet në një komunikatë për medie të ministrisë.

Ministri Mehaj e njoftoi Nën-Sekretarin Kahl, me punën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, duke nënvizuar përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në çështjet e sigurisë në nivelin rajonal dhe atë global, me theks të veçantë adresimin e sfidave rajonale në ambientin e ri gjeopolitik global të sigurisë.

Gjithashtu, ministri Mehaj e njoftoi atë se aspekti i sigurisë dhe mbrojtjes është ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke e informuar edhe lidhur me zhvillimet kryesore në Kosovë.

Ndërlidhur me këtë, ministri Mehaj e falënderoi Nën-Sekretarin Kahl duke shprehur vlerësimin shumë të lartë për mbështetjen amerikane për Kosovën, në avancimin e demokracisë dhe arritjen e objektivave për anëtarësim në strukturat euroatlantike.

Nga ana e tij, Nën-Sekretari Kahl ka shprehur vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin dhe partneritetin, duke e falënderuar ministrin Mehaj për angazhimin e Kosovës në operacionin humanitar për akomodimin e refugjatëve afganë, në kuadër të operacionit të NATO-s, të udhëhequr nga SHBA.

Gjithashtu, ai  ka vlerësuar shumë edhe partneritetin në misionin e parë paqeruajtës të FSK-së në Kuvajt si dhe pjesëmarrjen e FSK-së në stërvitjen e forcave amerikane me forcat aleate “Defender- Europe’21”.

Ndër të tjera, Nën-Sekretari Kahl ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike duke theksuar se vizioni i Presidentit Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor, në BE, mbetet në agjendën prioritare.

Nën-Sekretari Kahl ka theksuar se përkrahja për avancimin e kapaciteteve të FSK-së  do të jetë e vazhdueshme, ndërkohë që ka vlerësuar pozitivisht edhe përgatitjet për misionet paqeruajtëse të radhës, duke e rritur kështu edhe më shumë rolin e Republikës së Kosovës si kontribuuese e paqes edhe në aspektin e sigurisë globale./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara