Kosova dhe Garda Kombëtare e Iowa-s rrisin bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes

16:54 | 11 Qershor 2025
E.K

Në kuadër të partneritetit të gjatë dhe të qëndrueshëm mes Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Kosovës, gjeneralmajor Stephen Osborn ka realizuar një vizitë zyrtare në vendin tonë, ku është pritur nga përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe përfaqësues diplomatikë amerikanë.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, gjeneralmajor Osborn është takuar me Nënkomitetin për Mbrojtje dhe Siguri, në prani të përfaqësuesve të Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes dhe Zyrës Ekonomike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, ka njoftuar Ambasada Amerikane.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes së Kosovës, mbështetjen për Planin Gjithëpërfshirës Dhjetëvjeçar të Tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe avancimin e stabilitetit rajonal.

“Së bashku, ata eksploruan mundësitë për forcimin e industrisë së mbrojtjes së Kosovës dhe përkrahjen e Planit Gjithëpërfshirës dhjetëvjeçar të Tranzicionit të FSK-së, avancimin e stabilitetit rajonal, promovimin e industrisë amerikane dhe thellimin e angazhimit tonë të përbashkët për siguri dhe prosperitet”, thuhet në njoftim./Arbresh.info