Kosova akrediton ambasadorin e saj në Çad

15:04 | 28 Qershor 2018

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Senegal, Ramadan Gashi, i ka dorëzuar letrat kredenciale tek Presidenti i Republikës së Çadit, Idriss Deby Itno, duke u bërë si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, i Republikës së Kosovës në Republikën e Çadit, me rezidencë në Dakar, Senegal.

Në këtë vizitë, ambasadori Gashi është shoqëruar nga drejtori për çështje politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Lulzim Mjeku.

Delegacioni i Republikës së Kosovës, gjatë qëndrimit në kryeqytetin Nxhamena, është pritur edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Mahamat Zeni Cherif dhe drejtori i protokollit të shtetit, Ossodongarti Memdingangar.

Me këtë rast, ambasadori Gashi i dorëzoi kopjet e letrave kredenciale ministrit Mahamat Zeni Cherif dhe i përcolli mesazhet e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Sipas një komunikate të MPJ-së, të dy palët bashkëbiseduese prekën tema me interes të përbashkët për dy shtetet.

Në ceremonialin e dorëzimit të letrave kredenciale tek Presidenti, ambasadori Gashi i përcolli mesazhet nga kreu i shtetit, Hashim Thaçi, për homologun e tij të Republikës së Çadit me dëshirat për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale.

Në takim, Presidenti Itno siguroi ambasadorin Gashi për mbështetje të pa rezervë të Republikës së Çadit në rrugën e Kosovës drejt realizimit të subjektivitetit të saj të plotë juridiko-ndërkombëtar.

Pas ceremonisë së dorëzimit të letrave kredenciale tek presidenti, delegacioni i Kosovës ka vendosur kurorë lulesh në shenjë nderimi për popullin dhe autoritetet e këtij vendi tek përmendorja e martirëve të popullit të Çadit.

Pas përfundimit dorëzimit të kredencialeve, ambasadori Gashi pati një takim edhe me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Nxhamena, Geeta Pasi

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara