Kos në Shkup lavdëron Shqipërinë për kapitujt me BE-në, e përmend edhe Kosovën

10:38 | 1 Korrik 2025
E.H

Komisionarja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, po zhvillon sot në Shkup një takim me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të dedikuar Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për këtë rajon.

Nga Plani i Rritjes, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës – kanë marrë fondet e para të para-financimit.

Kosovën në këtë takim e përfaqëson kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në fjalën hyrëse, komisionerja Kos tha se Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor.

Ajo shtoi se tani ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, gjë që nuk ka qenë e njëjtë në të kaluarën, por “dritarja e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë”.

“Po shohim përparim të rëndësishëm. Shqipëria, i dashur kryeministër Edi Rama, ka hapur tre klasterë gjatë gjashtë muajve të fundit. Faleminderit për kontributin tuaj në suksesin e procesit të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do të mund t’i hapim të gjithë klasterët këtë vit. Ndërkohë, Mali i Zi mbylli edhe një kapitull të premten e kaluar.

Në Bosnje e Hercegovinë është miratuar agjenda e reformave dhe po presim që qeveria e re, z. Kurti, të vendosë më në fund më shumë energji në procesin e anëtarësimit. Ndërkohë, tashmë po ecim përpara edhe me Serbinë”, tha ajo.

Kos, e cila mbërriti më 30 qershor në Shkup, u prit në aeroport nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dhe mbajti menjëherë një takim me delegacionin maqedonas të kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski.

“Gjatë takimit u diskutua për perspektivën evropiane të rajonit, me fokus në zbatimin e reformave, realizimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet evropiane”, deklaroi Mickoski pas takimit.

Ai theksoi se ka “përsëritur vendosmërinë e Qeverisë për integrimin në BE, përmes një procesi dinjitoz dhe përmes zbatimit të reformave thelbësore në fushat e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe transformimit digjital”.

Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale, kryeministri Mickosi tha gjithashtu se “komisionarja Kos përshëndeti programin reformues të Qeverisë dhe konfirmoi mbështetjen e Komisionit Evropian për progresin e rajonit në rrugën drejt BE-së”.

Një deklaratë e ngjashme u publikua edhe nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, ku theksohet se Qeveria rikonfirmon qëndrimin e saj për nevojën e integrimit sa më të shpejtë në familjen evropiane dhe refuzon çdo kusht joparimor dhe joevropian që e pengon këtë proces.

“Vendi ynë po zbaton në mënyrë aktive agjendën reformuese, është nënshkruese e Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje me BE-në dhe është plotësisht e harmonizuar me Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët të BE-së, që është një tjetër dëshmi e fuqishme e themeleve evropiane mbi të cilat kemi ndërtuar punën tonë vitin e kaluar”, tha Mucunski.

Nga Drejtoria e Komisionit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi u bë e ditur shkurtimisht se Marta Kos ka mbërritur në Shkup për të zhvilluar takime me liderët e Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

“Së bashku do të diskutojnë për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me fokus te mënyrat për të përshpejtuar reformat dhe integrimin e vendeve të rajonit në tregun unik të BE-së”, thuhet në deklaratë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE, ndërsa Plani i Rritjes synon të përshpejtojë reformat dhe t’i përgatisë ato për anëtarësim.

Nga fondi prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë – një pjesë në formë granti, dhe një formë si kredi.

Ndërsa fqinjët e saj veçse kanë nisur të përfitojnë, Kosova rrezikon të mbetet pas në garën për miliona euro të Bashkimit Evropian.

Më 21 qershor, Serbia është bërë vendi i fundit – pas Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi – që ka njoftuar se ka pranuar mjetet e para nga BE-ja, në vlerë prej 51.66 milionë eurosh.

Bosnje e Hercegovina nuk e ka dorëzuar ende Agjendën e kërkuar të Reformave tek autoritetet evropiane.

Në Kosovë, problemi është tjetër: ajo nuk ka Kuvend të konstituuar për të ratifikuar marrëveshjen e nevojshme për përfitimin e fondeve.

Marrëveshjet e tilla kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, ndaj edhe duhet të ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave.

Plani i Rritjes, që është në qendër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, do të shqyrtohet në dy panele të ndara, sipas agjendës së takimit./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme