Konjufca takon diplomaten nga Holanda, MPJD thotë se u riafirmua mbështetja

17:42 | 25 Mars 2026
E.G

Zëvendëskryeministri e ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Karin Boven, në këtë takim ku thuhet të jetë afirmuar mbështetjen e Holandës ndaj Kosovës.

“Në takim u shkëmbyen urime me rastin e formimit të qeverisë së re në Holandë, ndërsa Ambasadorja Boven e uroi Zëvendëskryeministrin Konjufca për mandatin e ri. U riafirmua mbështetja e vazhdueshme e Holandës për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

MPJD-ja thotë se në këtë takim mes Konjufcës e Boven u diskutua për avancimin e bashkëpunimit dhe për rëndësinë e përputhjes së qëndrimeve në çështje me interes të përbashkët, veçanërisht në kuadër të agjendës evropiane.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e partneritetit me Mbretërinë e Holandës”, thotë MPJD-ja.