Klinaku: Deklarata e Vjosa Osmanit për formimin e Speciales është absurde

23:32 | 22 Korrik 2022

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), Faton Klinaku, e ka quajtur absurde deklaratën e presidentes Vjosa Osmani lidhur me formimin e Gjykatës Speciale.

Në konferencën e sotme të përbashkët me presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën, ajo ka deklaruar se të gjithë e dinë se kush ka bërë presion më shumë për formimin e kësaj gjykate – duke aluduar në ish-presidentin Hashim Thaçi.

Përmes një shkrimi në Facebook, Klinaku tha se Osmani “po harron ajo se në vend se ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese për interpretim skadimin e mandatit të asaj pseudogjykate, ajo shpejt e shpejt e kishte dërguar në Hagë”.

“Kur e them unë për Hashim Thaçin dhe Gjykatën Speciale atë që e tha presidentja sot, është e arsyeshme, por kur e thotë presidentja është absurde. Po harron ajo se në vend se ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese për interpretim skadimin e mandatit të asaj pseudogjykate, ajo shpejt e shpejt e kishte dërguar në Hagë”, ka shkruar ai.

Tutje, ka thënë se ata që po mbahen në Hagë po e luftojnë termin “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Është turp për shtetin e Kosovës që e toleron këtë”.