Kancelari austriak Faymann do të inkurajojë Ballkanin për vazhdimin e reformave

14:54 | 24 Gusht 2015
M. A.

Kancelari austriak Werner Faymann planifikon që si nikoqir i Samitit për Ballkanin Perëndimor, vendet e rajonit t’i inkurajojë për zbatim të mëtejshëm të reformave, duke iu shprehur, siç u komunikua sot, mirënjohje për përpjekjet e tyre të deritashme.

Ai, me rastin e tubimit që do të mbahet më 27 gusht në Vjenë, si vazhdim i Procesit të Berlinit të cilin vjet e inicioi kancelarja gjermane Angela Merkel, paralajmëroi se në konferencë do të angazhohet për luftë kundër papunësisë së të rinjve.

“Perspektiva Evropiane për Ballkanin Perëndimor është me rëndësi të madhe”, ka theksuar Faymann.

Ai ka theksuar se vendet e rajonit tashmë kanë ndërmarrë përpjekje të rëndësishme, porse ende ekzistojnë reforma të mëtejshme që duhet bërë, para së gjithash në fushën e sundimit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.

Në tubimin në Vjenë, siç është paralajmëruar, do të marrin pjesë kryeministrat e Kosovës, Isa Mustafa, Shqipërisë, Edi Rama, Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Maqedonisë, Nikolla Gruevski, Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dh e kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiq, si dhe kryeministrat e Kroacisë dhe Sllovenisë, Zoran Milanoviq dhe Miro Cerar.

Në Vjenë do të arrijë edhe kancelarja Merkel, ndërsa nga ana e Bashkimit Evropian do të jenë të pranishëm përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe euro-komisari Johannes Hahn.

Në samit do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Evropiane Investive, Suma Chakrabarti dhe Werner Hoyer.

Fillimisht u planifikua që në samit të bisedohet për projekte infrastrukturore tejkufitare, temë kjo që do të jetë në rend dite, por pritet që të mbisundohet nga problemi aktual me refugjatët nga Lindja e Afërme.

Shpërndaje në rrjete sociale