Ja huq PDK-ja, bënë fajtore Komunën e Prizrenit për shtatoren e Skënderbeut

12:39 | 1 Dhjetor 2020
M. A.

Dega e PDK-së ne Prizren ka mbajtur një konferencë për media ku ka kritikuar komunën e Prizrenit për të gjithë procesin në lidhje me vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Por, dje kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se shtatoren e Skënderbeut e ka bërë një shoqatë private nga diaspora e jo komuna.

“Ajo nuk është realizuar me tender e as me para të komunës, prandaj nuk ka asnjë të vërtetë te insinuatat për vjedhje apo për përzgjedhje të artistit realizues. Ajo shtatore është bërë prej shoqatës së diasporës “Trojet e Arbrit”, të cilët kanë përzgjedhur artistin dhe kanë realizuar me mjetet e tyre monumentin dhe të cilët i falënderoj shumë për kontributin e madh. Komuna, sipas marrëveshjes, ka ofruar vendin dhe realizimin e piedestalit, dhe në projekt kemi realizimin e një sheshi, përreth monumentit”, ka sqaruar kryetari.

E në komunikatën e PDK-së thuhet se nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëkohësisht, kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, i shoqëruar nga deputetja Eliza Hoxha, kanë mbajtur sot një konferencë për media, e ku kanë  kritikuar Komunën e Prizrenit për të gjithë procesin në lidhje me vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Totaj ka thënë se duke filluar nga vlera artistike e shtatores e deri te lokacioni ku komuna ka vendosur shtatoren e Skënderbeut, janë jo të denja për heroin tonë kombëtar.

“E para, lokacioni i përzgjedhur nuk është i denjë për vendosjen e shtatores së Skenderbeut. Ai është i izoluar dhe shumë hapësirë e fshehur e qytetit. E dyta, për shkak të trafikut të dendur në atë rrethrrotullim ku është vebdosur shtatorja, shumë lehtë mund të shkaktohen aksidente dhe rrezikohet jeta e vizitorëve të mundshëm. E treta, dega e PDK-së në Prizren përmes asambleistëve të saj në fazën e parë, para së të merret vendimi, ka tërhequr vëmendjen për lokacionin jo adekuat dhe ka kërkuar lokacion tjetër më të përshtatshëm por që është injoruar nga kryetari Mytaher Haskuka.”, ka thënë Totaj.

Ndërkohë, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se veprat e artit publik zakonisht janë produkt i relacioneve të pushtetit, relacioneve shoqërore, identitare të përmbledhura në reflektimin e kujtesës kolektive brenda strukturës hapësinore urbane.

“Si të tilla, këto projekte duhet të kalojnë nëpërmes një debati publik jo vetëm në raport me vet monumentin por edhe me vet lokacionin ku do të vendoset ajo. Andaj, për të pasur besimin e qytetarëve, arti publik duhet të synojë të përsosurën në aspektin e reprezentimit.”, ka thënë Hoxha.

Sipas deputetes Hoxha, vendosja e Skenderbeut në një rreth rrotullim, i pamundëson qytetarit prizrenas të jetë pranë tij, ta përjetojë atë pa zhurmë akustike dhe vizuale për shkak të kontekstit të dhënë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale