Izmaku: Pesha e një lideri në politikë nuk varet nga numrat

11:36 | 21 Maj 2025
E.K

Deputetja e Nismës Social Demokratike, Xhevahire Izmaku, ka folur para mediave para tentimit të 19-të për konstituimin e Kuvendit, ku tha se nuk ka ndonjë ndryshim apo një vendim marrje të re.

“Diskutimet tona politike të brendshme vazhdojnë brenda subjektit tonë politik dhe për këto çështje besoj që do të keni një deklaratë më të përgjithshme nga zoti Limaj në ditët në vazhdim, mirë po sa i përket çështjes se numrat e përcaktojnë vlerën, nuk kanë qenë gjithmonë ata që e kanë përcaktuar rëndësinë mirëpo peshën që ka një lider e në këtë drejtim dihet që zoti Limaj ka dhënë një kontribut të çmueshëm si gjatë çlirimit të vendit po ashtu edhe në çështjet kyçe të krijimit të institucioneve. Pra zoti Limaj kish me përfaqësuar shumë mirë të gjitha këto kritere sepse ka një autoritet përafrues në gjithë skenën politike”, ka thënë ajo.

Ajo tutje deklaroi se në Kosovë nuk kanë qenë gjithmonë numrat që e kanë përcaktuar rëndësinë, por peshën që e ka një lider.

“Mendoj që është më e rëndësishme në nivel vendi që emrat që nuk janë në diskutim të përveçëm mirë po kanë një dinjitet, dinjitet të përfaqësimit politik. Ndërsa nuk e mendoj që jemi ne këtë fazë, diskutimet tona të brendshme politike janë ende herët me përcaktua këtë, Nëse do të ketë një marrëveshje politike sigurisht që ajo do të bëhet në tavolinë dhe do të jetë transparente nuk do të bëhet përmes televizioneve. Pastaj vendoset për emra të përveçëm. Të njëjtat diskutime që janë diskutuar më herët edhe me liderët e tjerë të partive politike, ka qenë konstruktiv për më shumë nuk besoj që duhet me theksuar, mirë po zoti Limaj së shpejti do të jetë me deklaratë për të gjitha proceset” ka thënë Izmaku.

Kurti për RTK-në ka konfirmuar se ka pasur takime me kryetarin e Nismës Socialdemokrate Fatmir Limajn.

“Takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi për të bashkëpunuar, ku s’ka pasur marrëveshje për shkak të një parakushti, as kushti jo, për bashkëpunim në të ardhmen me pozitën e kryeparlamentarit. Unë jam në koalicion me Guxon dhe Alternativën, dhe t’ia japë kryeparlamentarin një partie me tre deputetë dhe ta lënë anash një parti që ka dyfishin – kjo e dëmton pariparueshëm marrëveshjen tonë paraprake”, ka deklaruar Kurti./rtk