Ibishi për rastin e Fazliut: Nuk ishte nevoja të përdorej forca nga ana e zyrtarit policor

00:25 | 8 Qershor 2021

Nuredin Ibishi, njohës i fushës së sigurisë, ka thënë që ka qenë e panevojshme përdorimi i forcës së policisë ndaj Faik Fazliut, veteranit të UÇK-së, i cili është arrestuar ditë më parë pas një fjalosjeje që e ka pasur me disa zyrtarë të policisë.

“Ka qenë detyra e policisë dhe e inspektorëve që të bëjnë kontrollin e mbylljes së lokaleve në kohën e caktuar. Gjatë kryerjes së detyrës, duket se ka pasë konflikt”.

“Zyrtari policor ka të drejtë të përdorë forcën fizike në rast kur është e nevojshme, por mendoj që në këtë rast nuk ka qenë e nevojshme sepse ajo shkon në baza reciproke, nëse ai sulmohet atëherë duhet të reagojë. Ne kërkojmë nga zyrtari policor të jetë i përmbajtur dhe ai duhet të reagojë në një formë më të përmbajtur, atëherë kur sulmohet në baza reciprociteti”.

Ibishi në Edicionin Special në Klan Kosova, gjithashtu ka thënë që ka qenë i panevojshëm edhe reagimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me këtë rast.

“Veprimi i zyrtarëve policorë është i lidhur me përgjegjësitë e zinxhirit komandues – autoritetit brenda policisë. Ministri Sveçla nuk ka autorizime ekzekutive ose urdhërdhënëse ndaj policisë. Ka qenë më shumë deklaratë politike e tij”, u shpreh ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara