Vendimi për të emëruar një të dërguar të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është tashmë i sigurt. Kështu thonë burimet diplomatike për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. Sipas tyre, vendimi ka gjasa të shpallet pas dëgjimit të shefit të ardhshëm të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në Parlamentin Evropian.
Mësohet se Borrell, i cili vazhdon të shërbejë si ministër i Jashtëm i Spanjës, i ka njoftuar me këtë ide edhe disa kolegë të vendeve të tjera të BE-së. Diplomatët, megjithatë, ende nuk flasin për emra konkretë të emisarit të ardhshëm, por thonë se ai, së paku, duhet të ketë ose të ketë pasur pozitën e ministrit të Jashtëm. Seanca dëgjimore e Borrellit në Parlamentin Evropian është caktuar për datën 7 tetor, kur edhe pritet të marrë konfirmimin zyrtar nga ky institucion.
Ideja për emërimin e një të dërguari evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë erdhi pasi administrata amerikane emëroi Mathew Palmerin të dërguar të posaçëm për Ballkanin. Ky vendim i Uashingtonit, në këmbim me sfondin politik të Borrellit, i cili vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, thuhet se ka ngritur çështjen e emërimit të një personi të ri që të merret drejtpërdrejt dhe në mënyrë aktive me dialogun Kosovë-Serbi.
Procedura për emërimin e këtij emisari, sipas pritjeve të diplomatëve, duhet të përfundojë përpara se Borrell të marrë detyrën e shefit të diplomacisë evropiane, përkatësisht para 1 nëntorit të këtij viti. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i cili tash e sa vite është ndërmjetësuar nga kreu i diplomacisë evropiane, është ndërprerë qëkur Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.
Përkundër thirrjeve të BE-së dhe SHBA-së për heqjen e kësaj takse, autoritetet në Kosovë nuk kanë ndryshuar qëndrim. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pa heqjen e taksës, dialogu nuk do të vazhdojë./rel/
Policia jep detaje për aksionin që çoi në arrestimin e shtat...
Disa persona marrin tretman mjekësor në Gjilan – shkak tymi ...
Tragjike në Greqi/ 19-vjeçari shqiptar humb jetën, ra nga ba...
Një person shoqërohet në polici për transport ilegal të druv...
Kapen mbi 10 mijë euro të padeklaruara në një automjet në Ja...
Tritol në një automjet në Tiranë, nisin hetimet