Sot, më 25 mars, në përvjetorin e masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë në fshatrat Celinë, Fortesë, Goden, Randobravë dhe Tërrnje, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, vizitoi fshatin Tërrnje të Suharekës, prej ku kujtoi të gjitha viktimat e këtyre masakrave dhe ritheksoi se institucionet shtetërore kurrë nuk do t’i harrojnë këto krime dhe nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi.
Pas vendosjes së luleve të freskëta te memoriali i martirëve në Tërrnje, kryetarja Haxhiu u ftua nga Bekim Gashi, i mbijetuari i vetëm i masakrës së Tërrnjes, në shtëpinë e tij. Bekim Gashi ndau dhimbjen e tij për nënën dhe katër motrat që janë vrarë dhe trupat e të cilave më pas janë zhdukur. Ai rrëfeu gjithashtu se për vite me radhë ka ndjekur procese gjyqësore në Beograd dhe ka marrë pjesë në disa zhvarrime, por pa ndonjë rezultat.
Kryetarja Haxhiu theksoi se këto krime ishin të organizuara dhe të udhëhequra nga aparati shtetëror serb, si pjesë e një plani të gjerë për spastrimin etnik dhe shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë.
“Më 25 mars 1999, vetëm një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, regjimi i Millosheviqit intensifikoi dhunën ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë. Në të njëjtën ditë, në disa fshatra të vendit tonë u përsërit i njëjti skenar i krimit shtetëror dhe gjenocidit. Në Celinë, Fortesë, Goden, Randobravë dhe Tërrnje u vranë rreth 200 civilë të pafajshëm, gra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur. Familje të tëra u shuan, shtëpitë u dogjën dhe fshatrat u zbrazën nga jeta”, rikujtoi kryetarja Haxhiu.
Duke ndarë dhimbjen me familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre dhe me ato që ende nuk i kanë gjetur trupat e të zhdukurve me dhunë, kryetarja e Kuvendit theksoi se Kosova nuk do t’i harrojë kurrë dhe nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për ta./Arbresh.info

SPAK kërkon pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares Irena...
PDK respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nesër mbledh ...
Kryeziu-Hyseni: Vendimi i Kushtetueses tregon qartë se VV-ja...
Vendimi i Kushtetueses, vjen reagimi nga Presidenca
Kusari-Lila: E rëndësishme që të ketë kompromis për zgjedhje...
Foda e Muriqi kërkojnë fitore: Jemi afër të bëjmë historinë