Haradinaj-Stublla: Vuçiq nuk ka bërë kërkesë për të vizituar Kosovën

13:59 | 26 Gusht 2020
M. A.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla, iu është përgjigjur interesimit të medieve në lidhje me atë se a ka bërë kërkesë presidenti serb Aleksander Vuciq për të vizituar Kosovën, duke treguar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Bazuar në marrëveshjen për vizitat zyrtare e arritur në Dialogun e Brukselit më 14 nëntor 2014, zyrtarët serbë janë të detyruar që të bëjnë kërkesat me shkrim rreth vizitave të tyre në Republikën e Kosovës. Kërkesa duhet parashtruar në mënyrë të drejtpërdrejtë tek Zyra jonë Ndërlidhëse në Serbi, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Pika 2/a e marrëveshjes e saktëson se për grupin e parë të zyrtarëve (që përbëhet nga presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministrat, kryetari i kuvendit dhe ministrat e punëve të brendshme, punëve të jashtme dhe të mbrojtjes) kërkesa duhet të bëhet të paktën 72 orë përpara”, ka shkruar Haradinaj.

Ajo tutje ka thënë se në javën kritike kur Kosova bën përpjekje për të ndërtuar unitetin politik e institucional për takimin trilateral me Serbinë në Ëashington, nën lidershipin e Shtëpisë së Bardhë, vizitat potenciale do të konsideroheshin si provokim politik dhe kundërproduktiv përpara nismës serioze e konkrete që partnerët ndërkombëtar kanë ndërmarrë.

“Kosova dhe resurset e saj natyrore janë pronë e Kosovës dhe qytetarëve të saj, e nuk do të bëhen asnjëherë plato e defilimeve provokuese për të tentuar avancimin e interesave që i përkasin shekullit të kaluar. Kosova mbetet e përkushtuar si palë konstruktive në avancimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit në rajon”,ka përfunduar ministrja Haradinaj Stublla./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale